Ambasadori kinez në Britani të Madhe, ka paralajmëruar se qeveria e Pekinit nuk do të ulet dhe të shikojë nëse kriza në Hong Kong bëhet e pakontrollueshme.

 

Sipas tij Kina është e gatshme të shuajë trazirat shpejt. Në një konferencë për mediat ambasadori, Liu Xiaoming, ka akuzuar forcat e huaja të paidentifikuara për nxitje të protestave të dhunshme, dhe fajësoi mediat perëndimore se ishin të pabalancuara në raportimet e tyre.

 

Protestat pro-demokracisë në Hong Kong janë shoqëruar me përleshje në rrugë, midis protestuesve dhe policisë, si dhe dy ditë ndërprerje të fluturimeve në aeroportin e Hong Kongut, në fillim të kësaj jave.

 

Qeveria kineze ka kritikuar ashpër demonstruesit, duke e cilësuar sjelljen e tyre “afër terrorizmit”.

 

Protestat u nxitën nga një projekt-ligj që do të lejonte të dyshuarit të përballen me gjyq në territorin e Kinës, përderisa kritikët thonë se të drejtat e tyre do të komprometohen.

 

Hong Kongu është pjesë e Kinës, por gëzon më shumë autonomi sesa rajonet e tjera kineze.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *