78 persona, banorë të bashkisë së Korçës do të dëmshpërblehen për dëmet e pësuara në banesat e tyre nga tërmeti i 1 nëntorit të vitit të kaluar.

Lista me përfituesit është miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ndërsa në total bëhet fjalë për një shumë prej më shumë se 9,3 milionë lekësh. Kanë qenë edhe më shumë familje të cilat kanë pretenduar për dëme në banesat e tyre nga tërmeti i 1 nëntorit por kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo tha se ashtu sikundër u veprua edhe me dëmet e tërmetit të 1 qershorit të vitit të kaluar, nuk do të dëmshpërblehen dëmet në banesat e pabanuara apo banesat e dyta të qytetarëve:

Këshilli Bashkiak i Korçës ka miratuar edhe listën me 50 familje përfituese të ndihmës ekonomike nga 6% të fondit të kushtëzuar për bllok ndihmën ekonomike, e cila për muajin janar shkon në 112 700 lekë, si dhe listën me 19 familje që përfitojnë ndihmë ekonomike nga 3% e fondit të buxhetit vendor me vlerë totale 57 500 lekë.

Të tjera pika të rendit të ditës që kanë marrë miratimin e këshilltarëve kanë qenë përdorimi i të ardhurave të trashëguara të vitit 2019, në buxhetin e vitit 2020, krijimi i këshillit vendor të sigurisë publike, si dhe dorëheqja për arsye personale e këshilltarit Klajdi Shaho.

Pas propozimit të ardhur në këshillin bashkiak këshilltarët kanë votuar pro dhënies së titullit Emblema e Artë për Gaqo Tërpinin, pas vdekjes:

Një tjetër pikë e rendit të ditës ka qenë edhe miratimi i rregullores së Këshillit Bashkiak për të cilën grupi i punës ka kërkuar më shumë kohë për hartimin e përfundimin e saj, ndërsa kryetari i Këshillit Bashkiak Erjon Nexhipi në fund të mbledhjes tërhoqi vëmendjen e bashkisë për të mundësuar pajisjen me sistem fonie, të sallës së këshillit në mënyrë që të gjithë këshilltarët të kenë mundësi të flasin, të dëgjohen dhe të regjistrohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *