Një grevë e përgjithshme ka filluar ditën e sotme në Katalonjë, pasi dy nga sindikatat më të mëdha të Spanjës, Asambleja Kombëtare e Katalonjës, një shoqatë civile e fuqishme pro pavarësisë dhe 41 grupe të tjera u kanë bërë thirrje mbështetësve të tyre për të protestuar kundër “shkeljes së rëndë të të drejtave dhe lirive themelore”.  Transporti publik, klinikat dhe shkollat do të qëndrojnë të mbyllura.

 

Ndërkohë në një konferencë shtypi Presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, ka premtuar të ngrejë një komision për të hetuar “shkeljen e të drejtave themelore” nga policia spanjolle e cila ka ushtruar dhunë në përpjekjet për të ndaluar referendumin. Presidenti njoftoi se 893 persona u plagosën dhe 73 ankesa formale u paraqitën kundër policisë.

 

“Qeveria e Katalonjës do të krijojë një komision të posaçëm për shkeljet e të drejtave themelore që janë parë në Katalonjë. Ky komision do të përbëhet nga një ekip ekspertësh ligjorë dhe profesionistësh të caktuar nga qeveria. Dhuna gjatë referendumit të së dielës në Katalonje ishte më e keqja në 40 vjet dhe nuk mund të mbetet pa u ndëshkuar. Është e qartë se gjërat nuk mund të vazhdojnë kështu: ndërmjetësimi nuk mund të mohohet, ne nuk shohim një mënyrë më efektive se sa dialogu”.

 

Madridi zyrtar nuk ka dhënë ende një mundësi për dialog pas reagimit më të fundit të presidentit Mariano Rajoy ditën e diele, i cili theksoi se qeveria nuk e njeh referendumin dhe ka paralajmëruar se mund të pezullojë autonominë aktuale të rajonit të pasur verilindor duke zbatuar kështu nenin 155 të kushtetutës.

 

Puigdemont shprehu pakënaqësinë e tij se votimi i së dielës, të cilin ai e sheh si një çështje evropiane më shumë sesa thjesht spanjolle, është injoruar me sa duket nga Brukseli. Ai i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndihmojë ndërmjetësimin midis dy palëve.

 

BE ka reaguar me vonesë pas skandaleve të së dielës, duke deklaruar se “dhuna kurrë nuk mund të jetë një instrument në politikë”. Komisioni Evropian e përshkroi krizën si “një çështje të brendshme” për Spanjën, që duhet të trajtohet në përputhje me rendin kushtetues. Megjithatë të mërkurën pasdite pritet një mbledhje e Komisionit Europian ku do të diskutohet edhe për referendumin.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *