Në fjalën e tij në Kuvendin e PD, Kadilli kritikoi jo vetëm Berishën, por edhe Lulzim Bashën për krizën në PD. Sipas tij, historia e krizës së tanishme në PD nuk ka nisur nga përjashtimi i Sali Berishës nga Grupi Parlamentar, por më herët, kur Basha vendosi të mos jepte dorëheqjen nga humbjet e njëpasnjëshme në zgjedhje.
“E vërteta e hidhur për mua dhe mijëra demokratë të tjerë është se kjo në fakt është Partia Demokratike dhe udhëheqësi është Lulzim Basha. Natyrisht, ju në këtë sallë nuk e tregoni historinë që tregova unë ashtu siç e tregova unë. Në vend të së vërtetës ju i tregoni vetes dhe botës gënjeshtra. Një burrë i mençur ka thënë shumë kohë më parë se të gjitha partitë politike në fund vdesin nga gëlltitja e gënjeshtrave të tyre. Ju keni muaj që gëlltisni gënjeshtrat tuaja, prandaj PD sot ndodhet në prag të vdekjes. Gënjeshtra e parë që ju i tregoni vetes është se historia e krizës së tanishme në PD ka nisur më 9 shtator dhe nga përjashtimi i Sali Berishës nga Grupi Parlamentar. Si keni pësuar paralizë cerebrale, Dhe i keni harruar të gjitha ditët, muajt dhe stinët e dështimeve që pas tetë vitesh kanë gërryer besimin tek partia jonë? Lëvizja e Sali Berishës ndezi vetëm fitilin që solli shpërthimin në publik të pakënaqësisë që kishte kohë që vlonte brenda PD-së, pakënaqësisë që shtohej pas çdo dështimi, pas çdo humbjeje. Nëse duhet një datë dhe një ngjarje që e bëri krizën e PD-së të pashmangshme ajo datë është 26 prilli. Është data kur Lulzim Basha vendosi të mos jepte dorëheqjen, Data kur pa asnjë lloj reflektimi, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie, pa asnjë vetëdije politike, ai shpalli që do të vazhdonte të mbetej udhëheqësi i PD-së. Me 26 prill PD zgjodhi të bëjë ideal të saj humbjen dhe jo fitoren.”
Për Kadillin, shkaku kryesor i krizës së PD është mosndryshimi, dhe se partia ka nevojë më shumë se kurdo në historinë e saj për një ndryshim të thellë.
“Pikërisht, verbërinë dhe arrogancën tuaj për të mos ndryshuar, shfrytëzoi Sali Berisha që bashkëngjiti hallin e tij me shumë demokratët kundër jush.”
Ai theksoi se largimi i Berishës dhe Bashës nga PD do t’i hapte rrugën për ndryshimin e thellë partisë.
“Por realiteti është se Partia Demokratike gjendet në prag të ndarjes përfundimtare të saj. Ka vetëm një mundësi që ky skenar të shmanget: dorëheqja e Lulzim Bashës dhe grupit të tij drejtues për t’i hapur rrugë ndryshimit të partisë. Ndaj dua t’i bëj një thirrje Lulzim Bashës dhe udhëheqjes së lartë të PD-së: për të shpëtuar PD-në, për të shpëtuar opozitarizmin, jepni dorëheqjen! Ju nuk do vini kurrë në pushtet, sepse jeni konsumuar dhe keni humbur besimin e njerëzve. Ndaj jepini një shans PD-së duke u larguar. Ikja juaj jo vetëm do të hapte rrugën për ndryshimin e thellë të PD-së, por është e vetmja mundësi për të shmangur kthimin në krye të partisë të Berishës dhe figurave të tjera të konsumuara dhe të diskredituara. Partinë Demokratike nuk mund ta sjellë në pushtet as Basha dhe as Berisha. PD-në mund ta sjellë në pushtet një ekip i ri, i pastër dhe i aftë, Një ekip që ka ide të reja dhe vizion të ri.”