Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në daljen e tij para Komisionit të Sigurisë ka theksuar objektivat kryesore që synohet të arrihen nëpërmjet p/buxhetit 2020 për Ministrinë e Brendshme.

 

Ministri është shprehur se prioritetet e qeverisjes janë të reflektuara në programet buxhetore dhe ai u shpreh optimist për realizimin e tyre. Lleshaj shtoi se ky p/buxhet shënon një rritje prej 1.4% në raport me atë të 2019 dhe se njëherësh është rritur edhe financimi i jashtëm në totalin e tij.

 

Disa nga investimet e rëndësishme që përmendi, ishin Korpusi i Policisë së Shtetit, Laboratori  i ri Shkencor modern, rinovimi i flotës së mjeteve, armatim dhe pajisje të reja, rikonstruksione të komisariateve dhe drejtorive vendore të policisë etj.

 

Më poshtë një përmbledhje tematike e fjalës së Lleshajt para deputetëve:

 

Ministria e Brendshme ka 5 programe buxhetore, që janë Policia e Shtetit, Garda e Republikës, Planifikimi e Menaxhimi, Prefektura si dhe funksionet e deleguara të pushtetit vendor, nga të cilat pjesën më të madhe e zenë programet që lidhet me sigurinë, Garda dhe Policia e Shtetit.

 

Në 2019 buxheti i planifikuar ishte 20.7 miliard ndërkohë me ndryshimet e bëra, u rrit gjatë vitit edhe me 1% dhe shkoi 21 mld.

Nga ky buxhet Policia e Shtetit ka marrë pjesën më të madhe me 80.3%, ose 16.9 mld; Garda e Republikës 1.5 mld, ose 7.5% e këtij buxheti, Planifikimi dhe menaxhimi 1.3 mld, ose 6%, prefekturat dhe funksionet e deleguara kanë marrë 607 mln ose ose 3.2% të buxhetit total.

 

Ky buxhet është realizuar në shifra të kënaqshme, aktualisht në 91% dhe besojmë, deri në fund të vitit do të realizohet 100%.

 

Nga projektet kryesore të realizuara gjatë vitit 2019, janë: Ndërtimi i Komisariatit Special Renea, ndërtimi i DVP Shkodër etj..

 

Investime të rëndësishme janë në mjete transporti për policinë, me bashkëfinancim me strukturat e BE. Gjatë 2019 ka filluar puna për projektimin e korpusit të ri të Policisë së Shtetit, korpus i cili është planifikuar të nisë nga ndërtimi gjatë vitit 2020.

Korpusi do të ndërtohet në terrenet aktuale pranë Akademisë së Sigurisë dhe në të do të vendoset edhe institucioni i Policisë Shkencore. Janë bërë investime të rëndësishme në armatime dhe pajisje për Policinë e Rendit, të Kufirit etj. P/buxheti i 2020, i miratuar në qeveri, ka disa objektiva kryesorë në fushën e sigurisë që lidhen me Policinë e Shtetit. Për realizimin e këtij objektivi madhor, është planifikuar mbështetje buxhetore të këtij prioriteti dhe në mbështetjen e Policisë me kompetenca të reja ligjore.

 

Prioritet tjetër që mbështetet me buxhet është kontrolli  flukseve migratore, migracionit të parregullt, i cili vijon të zhvillohet në kufirin tonë jugor. Garda e Republikës ka marrë disa përgjegjësi të reja në kuadër të reformës në drejtësi, për ruajtjen e personaliteteve të drejtësisë dhe në këtë kuadër janë shtuar fondet dhe personeli i saj.

 

Objektiv i rëndësishëm i MB për 2020, është forcimi i kapaciteteve të Policisë Shkencore, dmth Laboratori i Policisë Shkencore, i cili do të fillojë ndërtimin gjatë vitit 2020. Plotësimi i detyrimeve të ligjit për vetingun është një objektiv tjetër shumë i rëndëishëm dhe meqë SHÇBA ka një rol kryesor në këtë proces, i është dhënë mbështetje shtesë buxhetore dhe me personel.

 

Në shifra kryesore, buxheti 2020 krahasuar më 2019, shënon një rritje prej 1.4 % dhe arrin në vlerën 21 miliard lekë. 20.2 mld janë financim i brendshëm dhe 818.8 mln financim i huaj, ose 3.9% rritje në krahasim me 2019.

 

Policia e Shtetit do të ketë 17 miliard lekë ose 80.9 % të buxhetit në total, në raport me buxhetin e vitit 2019 ka një rritje prej 2% plus.

 

Garda e Republikës do të ketë 1.7 miliard leke ose 7.9 % e buxhetit total dhe në raport me vitin 2019 do të ketë një rritje prej 6 % plus.

-Programi i vetëm që pëson ulje nga programet e Ministrisë së Brendshme është ai që ka të bëjë me menaxhimin e përgjithshëm dhe administrimin pra ai program që menaxhohet nga vetë Ministria e Brendshme i cili do të ketë 1.1 miliard lekë me një ulje rreth 8 % krahasuar me vitin 2019. Uljet që i janë bërë programit të menaxhimit të përgjithshëm dhe administrimit shkojnë favor të Policisë, Gardës, SHÇBA-së e me radhë.

 

Gjendja civile ka 683.5 milion ose plus 1 % krahasuar me vitin 2019.  Ndërkohë që prefektura dhe funksionet e deleguara kanë 540 milion lekë ose 1.35 % më shumë nga një vit më parë.

 

Në favor të shpenzimeve të personelit shkojnë rreth 15.7 miliard lekë, shpenzimet operative 3.5 miliard, investimet 1 miliard dhe shpenzimet për investimet nga financimi i huaj 819 milion .

 

Pra rreth 75 % të buxhetit e merr personeli, 16.9 % shpenzime te tjera dhe për investimet janë 5 % investimi i brendshëm dhe 3.9 % financimi i huaj, që këto rreth 9 % e totalit është investimet.

 

Do të bëhen investime në Drejtorinë Vendore të Policisë në Shkodër. Këtë vit do të jetë rreth 25 milion lekë për ta mbyllur të gjithë këtë investim të rëndësishëm.

 

Puna do të vijojë edhe për një projekt i cili ka nisur për Dhomat e Shoqërimit dhe Blloku i Sigurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, janë parashikuar 142 milion lekë.

 

Investim në pikën kufitare Qafë-Botë, projekt i cili do të realizohet në bashkëpunim me Bashkimin Europian në vlerën e 32 milion lekëve. Përparësi menaxhimi jugor i kufirit të vendit merr përparësi, ku po zhvillohet operacioni me Frontex dhe po merr vlerësim nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

 

Projekt shumë i rëndësishëm, prioritet i këtij viti rindërtimi ose ndërtimi nga e para e Institutit të Policisë Shkencore. Krijimi i një laboratori të policisë shkencore shumë i domosdoshëm. Vëmendja prioritara e Ministrisë është vendosur në rindërtimin e këtij institucioni, që shërben jo vetëm për Policinë e Shtetit por për sistemin e drejtësisë në tërësi.

 

Janë parashikuar investime të rëndësishme për fuqizmin e flotës së automjeteve në dispozicion të Policisë së Shtetit. Policia i ka nevojë organike mjetet dhe automjete, për këtë arsye do të vijojë edhe këtë vit për fuqizimin e mëtejshëm të flotës me automjete të përshtatshme.

 

Parashikohet rritja e numrit të automjeteve me: 150 mikrobuzë, 5 fuoristrada etj.

 

-Do të vijojnë planet për fuqizimin e kapaciteteve të Policisë Kriminale dhe Policinë Shkencore me pajisje, mjete të reja, teknikë, metoda speciale për t’i vënë në funksion të proceseve hetimore.

 

Investimi në një godinë të re për SHÇBA, me qëllim që ky institucion të mund të kryejë në kushte optimale detyrat e tij ligjore.

 

Aplikimi i aparaturës Poligraf në funksion të vetingut në Polici dhe në funksion të vetingut në strukturat e tjera si gjyqësori dhe më gjerë.

 

-Rritje e buxhetit të Gardës së Republikës krahasuar me vitin e kaluar,  referuar edhe rritjes së detyrave dhe përgjegjësisë në shërbim të sigurisë së autoriteteve apo personaliteteve si gjyqtarë, prokurorë. Investim në armatim, teknologji, në fushën e mbrojtjes ndaj lëndëve eksplozive, në fushën e mbrojtjes nga lëndët  e shkatërrimit në masë, me qëllim vijimin e plotësimit të kërkesave që ka funksioni i Gardës së Republikës.

 

Parashikohen investime të caktuara në prefektura. Përfundimi i restaurimit të Prefekturës së Tiranës, me qëllim ndjekjen më tej të këtij modeli edhe nga prefekturat e tjera të vendit. Modernizim i shërbimit që i ofrohet qytetarëve në zyrat e Gjendjes Civile.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *