Banka e Shqipërisë publikoi raportin ekonomik të tregtisë me jashtë, ku evidentoi se kursimet kombëtare dhanë kontributin kryesor në ngushtimin e defiçitit korrent.

 

Sipas këtij raporti, investimet kombëtare u vlerësuan në 34.1% ndaj PBB-së, rreth 0.3 pikë përqindje më të larta kundrejt tremujorit të katërt të vitit të kaluar.

 

Të ardhurat neto nga shërbimet rezultuan rreth 229.6 milionë euro nga rreth 141.1 milionë euro që ishin në të njëjtin tremujor të një viti më parë, duke u rritur me rreth 62.8%. Kjo ecuri është përcaktuar kryesisht nga zgjerimi i eksportit të shërbimeve me rreth 17.0% në nivel vjetor. Në të njëjtën kohë, edhe importet e shërbimeve u shtuan me rreth 3.8%. Në terma të PBB-së nominale, suficiti i llogarisë së shërbimeve u vlerësua në rreth 7.9% me kontribut kryesor nga shërbimet e udhëtimit.

 

Të ardhurat neto nga udhëtimet, që përfshijnë edhe flukset neto nga turizmi, rezultuan më të larta krahasuar me një vit më parë, citon BSH-ja, sipas së cilës, të ardhurat neto u zgjeruan në 95.7 milionë euro nga 51.6 milionë euro, që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *