Subscribe

1- Cila është  gjendja sot në Greqi? Cilat janë zhvillimet më të rëndësishme dhe kush janë perspektivat për të ardhmen z. Cipras?

Greqia po del nga një situatë veçanërisht e vështirë e 6-7 viteve të kaluara. Pas vitit 2009 vendi u fut në një situatë tepër të vështirë dhe nuk do e tepronim po të thoshim se ishte kriza më e keqe gjatë gjithë historisë së saj pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe vende të tjera u përfshinë nga recesioni pas krizës së përbotshme të vitit 2008, por Greqia përjetoi një krizë të thellë, një krizë shumë të thellë, edhe ekonomike, por edhe shoqërore, për arsye që nuk kishin të bënin ekskluzivisht dhe vetëm me gjendjen në të cilën ndodhej ekonomia e saj, por kishin lidhje edhe me politikat që u zbatuan në vend, në radhë të parë, edhe nën përgjegjësinë e BE dhe të FMN. Këto politika, në vend që t’i jepnin zgjidhje problemit të krizës dhe të recesionit, e përkeqësuan atë. Me një fjalë, ilaçi që iu dha pacientit, në vend që ta ndihmonte atë për t’u shëruar, me sa duket, përkeqësoi gjendjen e tij. Në këtë mënyrë, u bënë ndryshime shumë të mëdha në vend, me pasoja shumë të dhimbshme, veçanërisht për shtresat më të varfra të popullsisë dhe të shoqërisë. Viti 2015, ishte një vit gjatë të cilit, qeveria e re greke u përpoq që të negocionte kushte të reja për Programin dhe të çlirohej prej kushteve të pafavorshme të Programit që kishin zbatuar qeveritë e mëparshme. Në verën e vitit 2015, gjatë Korrikut të kaluar, ne arritëm një kompromis, i cili nuk ishte pikërisht ai kompromis të cilin ne do të dëshironim, por është një kompromis që mund t’i japë një forcë shtytëse përpara ekonomisë greke. Kështu që viti 2016 fillon me perspektiva mjaft të ndryshme për vendin, do të jetë viti i parë që do të kemi ritme pozitive zhvillimi pas një periudhe prej gjashtë apo shtatë vitesh recesioni. Tani ekziston optimizëm më i madh për të ardhmen. Nga ana jonë, zbatojmë ato për të cilat kemi rënë dakord në Korrik 2015. Kam parasysh këtu, Programin për të cilin kemi rënë dakord me BE dhe me FMN. Sigurisht që nga pala tjetër presim që të respektojë angazhimin për rinegociimin e borxhit grek brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2016. Çështja e borxhit është një çështje kritike, për faktin se megjithëqë Grexit i takon tashmë së kaluarës dhe sipas mendimit tim, nuk shtrohet më një çështje e tillë, por një negocim i borxhit ama , do jetë i vlefshëm për të ardhmen e ekonomisë greke, sepse të gjithë faktorët ndërkombëtarë do të pushojnë së pretenduari se borxhi nuk është i menaxhueshëm. Kuptohet që ky, do të jetë një ndryshim cilësor për ekonominë greke.

2- Cilat kane qene efektet e krizës ekonomike greke ne Shqipëri dhe ne rajon? 

Greqia dhe ekonomia e saj ishin një pol i fuqishëm stabiliteti, ekonomik dhe politik, për rajonin e Ballkanit, ishte një prej ekonomive të mëdha të rajonit dhe vetë fakti që kjo ekonomi u godit nga kriza, do të kishte patjetër ndikim edhe mbi ekonomi të tjera. Këtë mund ta konstatojmë veçanërisht tek sektori bankar, sepse kishim një zhvillim dhe shtrirje të bankave greke në vendet ballkanike. Në të njëjtën kohë, veç pasojave negative, kriza ka edhe rrjedhoja pozitive për vende të caktuara. E them këtë me kuptimin se shumë kompani greke, për shkak të krizës në vendin e tyre, u detyruan që të kërkojnë rrugëdalje në vende të tjera ballkanike, mes të cilave dhe në Shqipëri. Pra do të thosha që pasojat e krizës nuk janë vetëm negative, ajo pati dhe pasoja pozitive. Por kjo nuk do të thotë se tani që Greqia po fillon një trajektore zhvillimi dhe 2016 do të jetë viti i ndryshimit të gjendjes, këto kompani do të kthehen përsëri në Greqi. Përkundrazi, besoj se tani që Greqia po fillon ta rimarrë veten, e ardhmja do të jetë më e mirë edhe për vendet ballkanike.

3– Cili është vlerësimi juaj për ecurinë dhe për perspektivën e marrëdhënieve greko-shqiptare?

Fillimisht do të dëshiroja të theksoja se çdo gjë që ka lidhje me ekonominë por edhe me shoqërinë greke, zbatimin e Programit për të cilin ramë dakord në Korrik të vitit 2015, përbën njërin dimension të politikës sonë. Një dimension i dytë ka të bëjë me programin paralel, siç e quajmë ne, program që është pikërisht përpjekja për lehtësimin e shtresave më të dobëta ekonomikisht në vend, dhe që ka lidhje edhe me emigrantët Shqiptarë që vinë nga Shqipëria. Ndërsa dimensioni i tretë ka lidhje me zbatimin e një sërë reformash, që kanë si qëllim luftën ndaj dobësive dhe patogjenezave të ekonomisë dhe të shoqërisë greke, të cilat ekzistojnë prej shumë vitesh, prej disa dhjetëvjeçarësh. Disa prej këtyre , janë të njëjta me ato të Shqipërisë, si p.sh korrupsioni. Një dimension i katërt ka të bëjë me zbatimin e një programi të gjerë të ristrukturimit prodhues, në mënyrë që të garantohen kushte të tilla të cilët nuk do të lejojnë që vendi të rifutet në një krizë si ajo që kaloi gjatë viteve të fundit. Domethënë të shfrytëzojë avantazhet e tij. Në këtë kuadër, mendoj se edhe në nivel politik, por edhe në nivel ekonomik, ekzistojnë mundësi të mëdha për përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë. Do të dëshiroja të theksoja që në krye, se me këtë vend na afrojnë lidhje shumëshekullore, janë lidhje, gjurmët e të cilëve humbasin në thellësitë e shekujve, jemi, nga shumë pikëpamje, dy popuj vëllazërorë , lidhje që u fuqizuan veçanërisht gjatë 25 viteve të fundit, si me prezencën e kompanive greke në Shqipëri dhe me shtimin në vija më të përgjithshme, të marrëdhënieve ekonomike dypalëshe, të eksporteve dhe të importeve, ashtu dhe me ardhjen në Greqi, si emigrantë ekonomikë, të shumë qindra mijëra Shqiptarëve. Këto zhvillime krijuan lidhje të reja midis dy vendeve dhe është në interes të dy vendeve që të kenë marrëdhënie akoma më të mira, si në rrafshin ekonomik, ashtu dhe në rrafshin politik. Nuk mendoj se marrëdhëniet tona duhet të jenë në nivelin e tanishëm, ato mund të përmirësohen shumë më tepër, është diçka që varet ekskluzivisht prej vullnetit politik të dyanshëm. Nuk ka çështje të tilla , për të cilat, ka me të vërtetë diçka shumë të rëndësishme që mund të na ndajë, çështje të tilla që mund t’i ndajnë dy vendet. Pra unë besoj se disa probleme, disa fërkime, mund të tejkalohen dhe të kemi me të vërtetë një epokë të re në marrëdhëniet Greko-Shqiptare.

4- Cili është qëndrimi i Greqisë në lidhje me perspektivën evropiane të Shqipërisë, qe tashme po synon qe brenda këtij viti te hape negociatat për anëtarësim ne BE?

Ju e dini se Greqia synon – dhe është edhe në interes të saj – që Shqipëria në perspektivë të integrohet në BE. Veç faktit se mes dy vendeve ekzistojnë lidhje shumë të forta ekonomike, nuk do ta tepronim po të thoshim se Greqia dhe Shqipëria, megjithëse Shqipëria nuk është anëtare e Bashkimit Europian, janë tashmë vendet me të lidhura ekonomikisht në rajonin e Ballkanit. Megjithëkëtë, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, do të përmirësonte shumë më tepër marrëdhëniet midis dy vendeve, dhe do të ishte edhe në interes të popullit shqiptar. Greqia deri tani ka përkrahur pozitivisht këtë perspektivë dhe është e gatshme që t’i ofrojë çdo ekspertizë të mundshme vendit tonë fqinj, Shqipërisë. Veç kësaj, besoj se kemi edhe eksperiencën nga anëtarësimi ynë në BE që prej vitit 1980 dhe në vazhdim deri më sot, eksperiencë të cilën mendoj se mund ta ndajmë bashkarisht, sepse ekzistojnë momente pozitive por edhe momente negative nga anëtarësimi dhe prezenca jonë në BE.

5– Kush është roli  i Minoritetit Etnik Grek në Shqipëri dhe i emigrantëve shqiptarë në Greqi në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe dy popujve tanë?

Duhet të jemi të lumtur që ekzistojnë këta dy faktorë në marrëdhëniet mes nesh, domethënë Minoriteti Etnik Grek në Shqipëri dhe emigrantët Shqiptarë në Greqi, sepse këta dy faktorë mund të përbëjnë një urë të fortë për një miqësi dhe bashkëpunim më të madh mes dy vendeve. Janë dy çështje, të cilat në vend që të shkaktojnë fërkime apo çfarëdolloj problemi, do të duhej që të jenë faktorë për një mirëkuptim më të madh midis dy vendeve, dhe nuk mund të lë pa përmendur këtu faktin se vjet, më 2015, në Greqi u votua ligji që ka të bëjë me perspektivat e akordimit të nënshtetësisë greke për emigrantët e brezit të dytë. Kjo ka të bëjë kryesisht me emigrantët Shqiptarë, dhe na tregon pikërisht, perspektivat shumë më të mira që ravijëzohen për Shqiptarët që jetojnë sot në Greqi, por edhe perspektivat shumë më të mira e më të të mëdha që na presin në të ardhmen. Pra jemi në një situatë, në të cilën bashkarisht dhe në mënyrë më frytdhënëse, t’u japim zgjidhje të gjitha problemeve që ekzistojnë, si për Minoritetin Grek këtu ashtu edhe për emigrantët Shqiptarë në Greqi. Besoj se të dy palët janë të interesuara për përmirësimin e jetës së tyre.

6- Si i vlerësoni ju te dhënat me te fundit ne shkëmbimet tregtare dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Greqisë?

Këto shifra janë veçanërisht inkurajuese për të ardhmen e kompanive dhe të investimeve greke në Shqipëri, të cilat sigurisht përbëjnë vetëm njërin prej dimensioneve të marrëdhënieve tona dypalëshe. Kemi gjithashtu shkëmbimet tregtare mes nesh, janë gjithashtu, siç e theksova më lart, emigrantët ekonomikë Shqiptarë në Greqi, dhe të cilët japin kontribut edhe për vendin tonë, por edhe për Shqipërinë me remitancat që dërgojnë. Mendoj se ekzistojnë akoma mundësi mjaft të mëdha për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, dhe kjo , kur të zgjidhen disa probleme me të cilat ndodh që përballen sot disa kompani greke në Shqipëri, si edhe me rritjen e shkëmbimeve tona tregtare, ku ka një hapësirë të madhe zgjerimi.

7- Si e vlerësoni klimën e te berit biznes këtu ne Shqipëri, si edhe potencialet e ekonomisë shqiptare për te tërhequr me shume biznese greke?

Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm përpara, në krahasim me gjendjen që ishte në periudhën e fillimviteve ’90, si dhe me gjendjen që mbizotëronte në fillim të viteve 2000. Sigurisht që ekzistojnë akoma hapësira për përmirësime të mëtejshme. Për më tepër, edhe ne në Greqi, që jemi sigurisht, një vend mjaft i ndryshëm për sa u përket natyrës së problemeve që kemi, nuk është se u kemi dhënë zgjidhje të gjitha problemeve që na preokupojnë. Jemi në një fazë reformash. Besoj se edhe Shqipëria ndodhet, dhe duhet të fillojë, një fazë reformash, reforma të tilla që t’u japin zgjidhje të gjitha problemeve që ekzistojnë për sa i përket klimës investuese , me të cilat përballen kompanitë që vijnë në Shqipëri, midis tyre, edhe kompanitë greke. Ndoshta mund ta dini që ne si qeveri, nuk njohim dhe nuk përsërisim motot që përsërisin Organizma të ndryshëm ndërkombëtarë rreth çështjes së rrogave dhe të kostos së punës që përfitojnë kompanitë në vendet ku ato bëjnë investime. Kjo nuk përbën përparësi për ne, dhe nuk është ajo që ne i rekomandojmë Shqipërisë. Ne besojmë se problemet që kanë të bëjnë me ambientin prodhues, vijnë për shkak të faktorëve dhe të dobësive të tjera që ekzistojnë në secilin prej dy vendeve, dhe mendoj se të dy ndodhen në një fazë tranzitore zgjidhjeje të këtyre problemeve. Ne si vend, na duhet të hedhim edhe shumë hapa të tjerë për të tërhequr investime, dhe besojmë se edhe Shqipëria, ka nevojë të hedhë edhe ajo shumë hapa në këtë fushë. Këto çështje i diskutuam edhe dje me ministrin e zhvillimit ekonomik, zotin Ahmetaj.

8- Greqia është nje nga partneret me te rendesishem ekonomike te Shqipërisë. Sa mendoni se ndikon kjo ne zgjidhjen e disa çështjeve te tjera te mbetura pezull mes dy vendeve?

Ashtu siç theksova dhe më parë, të dy vendet tona nuk i ndajnë probleme të tilla, të cilat nuk mund të zgjidhen. Pra nuk janë të tilla sa të rrezikojnë që njëri prej të dyve të humbasë, ndërsa tjetri të fitojë. Mendoj se janë çështje të tilla, për të cilat, në tërësinë e tyre , mund të ketë zgjidhje, prej të cilave të përfitojnë të dy palët. Edhe nëse nuk do të kishim marrëdhënie ekonomike dhe lidhje që afrojnë dy vendet, mendoj se bëhet fjalë për probleme, të cilat, me vullnet politik, dhe jo me një trajtim mikropolitik për konsum të brendshëm, në çdo rast do të mund të zgjidheshin. Aq më tepër sot kur lidhjet tona ekonomike janë të tilla, që janë të rëndësishme për të dy vendet, për jetën e tyre ekonomike dhe për perspektivat e tyre. Besoj se kemi çdo arsye që të ecim me hapa më të shpejtë për zgjidhjen e problemeve politike. Sigurisht që këto lidhje funksionojnë në favor të kësaj zgjidhjeje dhe nuk besoj se çështjet e çfarëdoshme politike do të përbëjnë pengesë për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe.

Ju faleminderit.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *