Plotësimi i konsumit të energjisë në vend përgjatë tre muajve të parë të këtij viti është bazuar në një pjesë jo të vogël tek importet të cilat në vlerë nga 1 janar 2022 deri më 25 mars llogariten në rreth 92 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare.

Vetëm pak ditë më parë kreu i qeverisë deklaroi se në janar u shpenzuan për import mbi 32 milionë euro ndërsa në shkurt kur situata hidrike në kaskadën e Drinit ishte edhe më problematike importi rezultoi mbi 48 milionë euro. Të marra këto shifra së bashku me blerjet që ka bërë KESH gjatë marsit që kapin vlerën 10.8 milionë euro importet japin vlerën 92 milionë euro.

Në fakt marsi ka rezultuar më pozitiv sesa pritej nga qeveria e cila parashikoi që me vlerat 550 euro në Bursa importet mund të ishin 100 milionë euro vetëm për muajin e tretë të vitit.

“Parashikimi për blerjen në muajin mars me çminimin që sapo ju thashë, mesatarisht 500 euro është 100 milionë euro. Ndërkohë që parashikimi për muajin prill i pritshëm, duke qenë ë se kaskada do të prodhoj dhe më pak, është 134 milionë euro.

 

Në total deri një muajin e katërt të këtij viti faktikja e konsumuar dhe çfarë presim nga projeksionet do të arrij rreth 320 milionë euro subvencion përsa i përket energjisë nga Qeveria Shqiptare dhe nga buxheti i shtetit” do të shprehej Rama.

 

Situata me çmimet dramatike në Bursën Hungareze zgjati vetëm dy ditë ndërkohë që javën e tretë të marsit e në vazhdim çmimet janë stabilizuar mes 230-280 euro MWh.

 

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur një seri procedurash blerjeje energjie dhe gjatë marsit në total u blenë mbi 39 mijë MWh energji duke çuar në një çmim mesatar prej 274 euro/MWh apo një kosto për kilovat/ore prej 33.7 lekë. Kësaj të fundit më pas i shtohen edhe kosto transmetimi dhe shpërndarje të cilat e rrisin edhe më tej.

 

Aktualisht konsumi në vend po mbulohet kryesisht me import ndërkohë që prodhim nga kaskada po bëhet vetëm në orar piku kur çmimi i energjisë në bursa ka edhe vlerën më të lartë. Kjo po shihet si një mënyrë për të zbutur disi efektin final.

 

Nëse i referohemi të dhënave nga Bursa Hungareze (24 mars 2022) 1 MWh për datën 25 mars u shit me një çmim 247.6 euro me rritje 3.07% për qind në raport me datën 24 mars ndërsa në pik 1 MWh u shit për 233.66 MWh apo 2.53 për qind më shumë se një ditë më parë./Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *