Subscribe

Misioni i tij është shpëtimi i jetëve. Ridvan Tahiri me grupin e tij të vullnetarëve është kthyer në një fije shprese për ata njerëz që humbasin në rrethana misterioze. Sot konsiderohet hero i personave të zhdukur pasi ka një instikt të fortë në gjetjen e tyre.

Ish-luftëtari i UÇK-së ishte i ftuar në “Vizioni i Pasdites” me moderatoren Brikena Prifti për të rrëfyer eksperiencën e tij. Ai ka treguar se si ka lindur fillimisht ideja për të krijuar një grup vullnetarësh, pa asnjë përfitim monetar, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të Kosovës. Grupi është krijuar në vitin 2019 dhe që atëherë nuk e ka ndalur më punën.

“Jemi një gup që e kam krijuar vetë. Rasti i parë ka qenë me një zonjë të moshuar, e cila vuante nga një sëmundje. Kemi parë në rrjete sociale që e kërkonte familja pandërprerë. Ne vendosëm që me një grup shokësh të dilnim dhe të ndihmonim, bëra një thirrje në grupe sociale dhe u bashkuan shumë njerëz. Pasi u krye me sukses operacioni i parë atëherë vendosa të krijoja grupin, përzgjodha më të mirët dhe më pas i trajnova vetë”, tha Tahiri.

Janë disa kritere që personat, të cilët duan t’ bashkohen grupit, duhet t’i plotësojnë. Kriteri kryesor është përgatitja psiqike pasi në çdo moment mund të hasen edhe me trupa të vdekur, duke qenë se kemi të bëjmë me njerëz që zhduken pa gjurmë dhe fati i tyre është mister deri në momentin që gjenden.

“Të kesh fizikun e mirë, të jesh i përgatitur se mund të hasesh edhe me trupa të vdekur, komunikimi mes grupit është kryesor. I gjithë grupi jemi si një familje, kemi dhe psikologen brenda grupit. Aktualisht, grupi i ngushtë i grupit të vullnetarëve janë 10 veta dhe në çdo qytet kemi nga një kordinator. Ndërsa ata që i përgjigjen thirrjes tonë janë shumë, që bashkohen në operacione. Shkon deri në 10 mijë numri i personave që bashkohen në operacionet e kërkimit. Nëse hasemi me telashe na bashkohet edhe ushtria dhe policia eKosovës. Ne nuk operojmë pa miratimin e policisë. Kur na jepet leja që të operojmë, atëherë fillojmë.”

Tahiri tregon se orët kur punojnë për të gjetur një person janë të mbushura me antkh. Ai rrëfeu një nga historitë që e konsideron më të veçantë ku protagonist ishte një fëmijë i quajtur Tijan. Ai ishte larguar nga shtëpia dhe pas kërkimeve e gjetën duke fjetur në mal.

“Po të flas si prind. Një minutë është si 10 ditë kur i zhduket fëmija. Babai i Tijanit ka pasur një vuajte shumë të madhe, do doja mos të isha kurrë në lëkurën e tij. Në momentin që u gjet Tijani, frika më e madhe që kishte ishte që ky djalë mund të pësojë ndonjë traumë. Në atë monet pashë se çfarë gëzimi kishte babai i Tijanit dhe në ato momente vura veten në vendin e tij. Ka pasur shum raste kur kemi hasur me trupa të vdekur, nuk është gjithçka në dorën tonë. Është edhe vullneti i Zotit. Kemi kërkuar me ditë të tëra, por në minutat e fundit që jemi afruar ka dhënë shpirt. Rasti i fundit ka qenë e vajzës që u gjet e vrarë në Maqedoni, kam bërë kërkesë që t’i bashkohesha. Por në raste të tilla, në raste të dyshimta nuk veprojmë. Kur vendosëm të ndërhynim mësuam se u gjet e vrarë. Ne kemi disa regulla që i përmbahemi. Përveç fëmijëve dhe të moshuarve me probleme shëndetësore që ndërhyjmë dhe i thyejmë rregullat, në rastet e tjera i përmbahemi rregullave”, tha Tahiri.

Tahiri, i cili ka qenë pjesë e luftës së Kosovës, thotë se kjo i ka shtuar dashurinë ndaj Atdheut.

“Lufta më ka bërë që t’i shërbej më shumë këtij vendi. Pas luftës kemi filluar aktivitetet me shërbimin policor të Kosovës. Grupin vullnetar e kam krijuar për t’i ardhur në ndihmë popullit, pa përfitim vullnetar,”përfundoi ai.

/vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *