Sergei Skripal, një ish-agjent rus i strehuar prej 8 vitesh në Britaninë e Madhe, është në gjendje kritike për jetën, pasi dyshohet se është helmuar me një substancë misterioze.

 

Ai u gjet pa ndjenja në një stol në një qendër tregtare, së bashku me një grua tjetër rreth të tridhjetave, e cila mendohet se është vajza e tij, edhe ajo në gjendje të rëndë për jetën.

 

Autoritetet britanike nuk kanë dalë me një deklaratë mbi ngjarjen, por dyshohet se e gjithë ngjarja ka të bëjë me luftën e spiunazhit mes Rusisë dhe Perëndimit.

 

Skripal, ish-oficer i shërbimeve ruse të inteligjencës, është dënuar me 13 vjet burg në vendin e tij për spiunazh në shërbimin sekret britanik, por është lënë i lirë në bazë të një marrëveshjeje mes Moskës dhe Uashingtonit për shkëmbimin e agjentëve.

 

Nga ana tjetër zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, këmbëngul se nuk ka asnjë informacion mbi incidentin, madje shprehu vullnetin para gazetarëve për të bashkëpunuar në hetim.

 

Mediat raportojnë se gjendja shëndetësore e ish-agjentit është e rëndë. Ndërkohë autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar po hetojnë për të zbuluar llojin e substancës, e cila u përdor për të helmuar ish-spiunin rus.

 

Rasti sjell në vëmendje vdekjen e ish-agjentit të shërbimit sekret rus dhe kritikut të Kremlinit, Aleksander Litvinenko, i cili vdiq pasi u helmua me polonium.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *