Ish-ministri i LSI, Edmond Haxhinasto komentoi këtë të shtunë raportin paraprak të Komisionit të Venecias për ligjin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Nga studio e “Vizion Plus”, Haxhinasto tha se politikisht Venecia i jep të drejtë Metës. Por ai sqaroi se në fakt Komisioni i Venecias mbron Kushtetutën me këtë raport.

 

“Mendoj se Komisioni i Venecias i jep të drejtë presidentit, por i jep të drejtë Kushtetutës sepse presidenti ka mbrojtur Kushtetutën dhe ka shpjeguar edhe me një kod shumë të kuptueshëm këtë gjë. Ai i është referuar nga A tek Zh Kushtetutës. Prandaj dua të them që politkisht i jep të drejtë presidentit, por i jep të drejtë Kushtetutës sepse vetë Kushtetuta është shumë e qartë. Unë mendoj se kjo duhet ta bëjë të reflektojë mazhorancën. Institucioni i Presidencës është një institucion i pavarur. Presidenti patjetër që merr në vendimmarrjet e tij në konsideratë të gjithë kontekstin politik të vendit, është një institucion mbi palët dhe shikon të gjithë tërësinë e politikës.”

 

Ai e ndali theksin edhe tek përplasjet në distancë që presidenti ka patur me ambasadorët dhe ndërkombëtarët. Sipas Haxhinastos, kjo ndodh se shpeshherë merren si referenca deklaratat e ndërkombëtarëve dhe jo Kushtetuta.

 

“Në asnjë rast presidenti nuk ka dalë kundër SHBA dhe BE, por ka mbajtur një qëndrim parimor për të zbatuar Kushtetutën. Nuk janë opinione që mund të mbajë x, y. Për ne është e rëndësishme që Kushtetuta jonë të zbatohet. Është momenti që të gjithë institucionet të reflektojnë. Nuk kemi pse tu referohemi dhe të marrim opinionet e Venecias, kur gjërat janë të shkruara. Faktori ndërkombëtar shpesherë janë pika e referencës, por duhet të jetë Kushtetuta.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *