Frances Haugen, ish-punëtore e kompanisë, Facebook, u ka thënë ligjvënësve amerikanë se aplikacionet e kësaj platforme “dëmtojnë fëmijët, krijojnë ndasi dhe zbehin demokracinë”.
Haugen, 37-vjeçare, e cila ka punuar si menaxhere produktesh në Facebook, ka dëshmuar të martën gjatë një seance në Kongresin amerikan.
Megjithatë Facebook ka thënë se Haugen ka folur për çështje në të cilat nuk ka njohuri.
Dëshmia e sa vjen në kohën e rritjes së kritikave për këtë rrjet social dhe thirrjeve për rregullim të tij.
Si senatorët republikanë, ashtu edhe ata demokratë, kanë qenë të bashkuar të martën kur kanë thënë se ka nevojë për ndryshime në kompani – një temë e rrallë kur të dyja palët janë bërë bashkë.
Gjatë fundjavës, Haugen ka thënë për kanalin televiziv amerikan CBS se ajo ka ndarë disa dokumente të Facebook-ut me të përditshmen amerikane Wall Street Journal në javët e fundit.
Sipas saj, kompania vazhdimisht ka pasur më shumë prioritet fitimet sesa shëndetin mendor të përdoruesve.
Ajo ka vazhduar dëshminë në këtë temë edhe të martën.
“Udhëheqësia e kompanisë e di si ta bëjë Facebook-un dhe Instagram-in më të sigurt, mirëpo nuk bën ndryshimet e nevojshme sepse ata kanë bërë prioritet fitimet astronomike para njerëzve”, ka thënë ajo.
Ajo ka kritikuar themeluesin e kompanisë, Mark Zuckerberg për kontroll të gjerë, duke thënë se “ai nuk i përgjigjet askujt përveç vetes”.
“Një ditë më parë kemi parë mosfunksionimin e Facebookut. Nuk e di pse sistemet kanë rënë, mirëpo e di që për më shumë se pesë orë, Facebook nuk është përdorur për të thelluar ndasi, për të destabilizuar demokraci dhe për t’i bërë vajzat e reja dhe gratë që të ndjehen keq për trupat e tyre”.
Ajo u ka thënë senatorëve se “duhet vepruar tani”.
Facebook ka dënuar akuzat e saj, duke mbrojtur politikat e sigurisë./R.E.L