Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hardinaj e ka konsideruar pendmarrjen e tre policëve si përdhosje dhe poshtërim të uniformës.

 

Ai ka kërkuar që ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla të japë dorëheqjen pas kësaj skene, ndërsa akuzon kryeministrin Kurti se po rrezikon ekzistencën e Republikës së Kosovës.

 

Në të njëjtën kohë, Hardinaj iu bën thirrje ndërkombëtarëve për të ushtruar presion ndaj Serbisë.

 

“Ishte skenë poshtëruese skena e rrëmbimit dhe përdhosjes së uniformave tonë. Kërkojmë që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion ndaj Serbisë për të liruar efektivët e kapur nga forcat serbe. Zveçla të japë dorëheqjen sepse sot u përdhos uniforma e policisë së Kosovës. Ne e kuptojmë se Kurti ka marrë mandat për të udhëhequr vendin drejt stabilitetit dhe forcimit të marrëdhënies me aleatët euroatlantikë. Por ai po bën të kundërtën, nuk po shkon drejt stabilitetit. Kurti po e rrezikon ekzistencën e republikës. I ftoj të gjithë të ndalim Kurtin në mënyrë që të ndalim pasojat e tjera për Kosovën.  Kurti intensivisht me çdo veprim të vetin po e prish këtë aleancë, pra ky ose është spiun i Serbisë ose është ai që me zor do me mbet në pushtet sa me fshehë qeverinë e tij humbëse të zhytur në korrupsion e nepotizëm, e po e kërkon shpëtimin në kriminelë, duke i arrestuar ata e duke na shitur këtë si fitore të Kosovës”, tha Haradinaj.

 

Ndërkohë, kryeministri Kurti ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të tre policëve, duke theksuar se ata janë marrë peng në territorin e Kosovës.

 

Nga ana tjetër, Serbia e mohon këtë duke pretenduar se në fakt vëhet fjalë për arrestim brenda territorit të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *