Pas disa muajsh nga dy operacione të mëparshme në Greqi, që rezultuan në goditjen e dy grupeve ndërkombëtare të trafikut të drogës, të zbuluara përmes komunikimeve në platformën “SKY ECC”, policia greke ka kryer operacionin e tretë. Edhe këtë herë, përdorues shqiptarë të aplikacionit dolën në skenë, duke çuar në zbulimin e dy grupeve të tjera kriminale aktive në vitet 2020-2021.
Katër persona u arrestuan dhe dy të tjerë shpallën në kërkim, ndër ta edhe një oficer i lartë i policisë greke, pjesë e dy grupeve kriminale.
Pas analizës dhe vlerësimit të komunikimeve të kryera përmes aplikacionit online “Sky ECC”, së bashku me materialet e tjera para-hetimore, autoritetet arritën të identifikonin pronarët e kodeve PIN të përdorura në këtë platformë, të cilët janë anëtarë të grupeve kriminale. Komunikimet, përfshirë mesazhe me tekst, audio dhe shkëmbim fotosh, zbuluan rolin kyç të tyre në rrjete ndërkombëtare që furnizonin dhe ruanin sasi të mëdha lëndësh narkotike (marihuanë dhe kokainë) për trafik në territorin grek, si dhe në blerje e shitje të paligjshme të armëve të zjarrit, përfshirë pistoleta dhe armë luftarake.
Gjatë operacionit dhe kontrolleve në shtëpi e automjete u sekuestruan 41,365 euro, 6 telefona celularë, një automjet i përdorur për trafik droge, si dhe një kartë identiteti e policisë që i përkiste oficerit të policisë, e cila ishte raportuar e humbur.
Oficeri grek, 56 vjeç, i dalë në pension me gradën Nënkolonel A në dhjetor 2024, kishte shërbyer në Shërbimet e Sigurisë së Athinës Perëndimore dhe më pas në Drejtorinë e Policisë së Athinës. Ai rezulton të ketë qenë aktiv në rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës, të udhëhequr nga shqiptari Marius Diamanti, i njohur si Mario Diamanti nga Delvina, i cili u vra në nëntor 2021 jashtë një karburanti që zotëronte në Nikaia të Athinës.
Oficeri kishte ndërmjetësuar edhe blerje e shitje të paligjshme të kallashnikovëve, duke bashkëpunuar me persona të panjohur për Diamantin. Gjithashtu, ai ndihmonte një emigrant nga Gjeorgjia duke i mundësuar përmbushjen e kushtetuta kufizuese në mënyrë të paligjshme, ndërsa informonte dhe udhëzonte Diamantin dhe emigrantin për të shmangur arrestimin.
Kush ishte Mario Diamanti?
Marius Diamanti, i njohur si Mario Diamanti, u vra më 16 nëntor 2021 jashtë karburantit të tij në Nikaia, Athinë. Ai ishte arrestuar më parë për një sasi kokaine që iu gjet në makinën e tij. Në 2010, ishte akuzuar për vrasjen e një 30-vjeçari shqiptar në Athinë, por pas hetimeve u shpall i pafajshëm, edhe pse arma e përdorur në ngjarje ishte e njëjtë me atë që i ishte gjetur gjatë arrestimit. Ai u përmend gjithashtu në raste të tjera kriminale në Mykonos, për të cilat u la me detyrim paraqitjeje.
Emri i tij u lidh edhe me një grup falsifikatorësh që pajisnin trafikantë dhe vrasës shqiptarë me identitete false në Greqi, ku ai kishte marrë identitetin Stergios Maznevidis. Në maj 2023, pas vdekjes së tij, ai u akuzua si autori i vrasjes së trafikantit belg Kristof Waegeman më 29 maj 2020 në Voula, Athinë. Waegeman u qëllua me dy plumba në kokë.
Në vitin 2015, Waegeman ishte dënuar në Belgjikë me 12 vjet burg për trafik kokaine nga Amerika Latine përmes portit të Antwerp. Ai ishte gjithashtu i dyshuar në dosjen “Mackerel”, që hetonte trafikimin e kokainës nga grupi i Abdelilah EM alias Black, i cili ndodhet në Dubai. Në këtë dosje, Waegeman njihej me emrin Geert Nelle.
/vizionplus.tv





