Subscribe

Për “Transparency International”, korrupsioni në Shqipëri mbetet problem i madh. Në një vlerësim të parë të thelluar për rreziqet e korrupsionit në vend, theksohet se edhe pse janë vënë re disa përmirësime në kuadrin ligjor, korrupsioni eshte ne nivele shqetësuese. Partitë politike sipas raportit, rezultojnë të kenë nivelin më të ulët të integritetit, krahasuar me të gjithë aktorët dhe institucionet e vlerësuara. Raporti thotë se Shqipëria ka një ndër nivelet më të larta të korrupsionit në rajon. Koordinatorja Rajonale për Europën Juglindore, Cornelia Abel, shprehet se institucionet e pavarura, nuk arrijnë të përmbushin rolin për të cilat janë ngritur.

“Ne kemi parë se integriteti në këto institucione, apo sektorë është i ulët, çka është shqetësuese pasi është një dimension i rëndësishëm. Po ashtu problem mbetet transparenca. Gjatë punës tonë kemi parë nëse institucionet mund të përmbushin rolin e tyre dhe nëse kanë kapacitetet, kryesisht për institucionet e pavarura, të cilat duhet të jenë të paanshme politikisht. Është e qartë se kapacitetet nuk janë aq të forta dhe nuk kanë hapësira për të përmbushin rolin e tyre di institucione të pavarura. Kjo është shqetësuese, pasi nëse balanca mes institucioneve në një sistem të integruar, ku disa janë të forta dhe shumë të tjera të dobëta, nuk do të kemi një luftë të vërtetë kundër korrupsionit.”

Raporti vlerëson si problematik punën e Gjykatave shqiptare, si dhe ekzistencën e korrupsionit në to. Reforma e nisur në sistemin e drejtësisë, sipas Abel, është një sinjal pozitiv, për luftën kundër fenomenit.

“Unë besoj se kjo reformë mund të ketë një impakt domethënës, sepse elementët e kësaj reforme janë shumë të rëndësishme dhe kyçe, pasi cili është problem? Problemi është pandëshkueshmëria e korrupsinit. Nëse sistemi I drejtësisë reformohet ashtu siç duhet përcaktohen e zbatohen sanksione kundër korrupsionit, kjo do të bëjë një diferencë të jashtëzakonshme. Sigurisht ka shumë rrugë për të bërë. Jam në dijeni se janë disa ligje të cilat duhen ndryshuar për të zbatuar reformën në drejtësi. Ne shpresojmë shumë që opozita dhe qeveria të punojnë së bashku më qëllim që kjo të ndodhë, pasi është ekstremisht e rëndësishme.”

“TI” vlerëson në raport se në Shqipëri pavarësia e institucioneve mbikëqyrës është problematike, nisur nga fakti se drejtuesit e tyre në shumë raste janë zgjedhur me shumicë të thjeshtë votash në Parlament. Financimi i partive dhe transparenca e tyre mbetet problematike. Po ashtu “TI” konsideron se Shqipëria nuk ka kulturën e mirëfilltë institucionale për luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, nënvizohet puna e bërë nga qeveria dhe qëndrimi i saj në luftën kundër fenomenin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *