Gjykata e Posaçme ka urdhëruar SPAK të hetojë ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi.
Vendimi që ndaj Roshit të kryhen hetime për shpërdorim detyre erdhi nga gjyqtarja e Posaçme, Rudina Palloj pasi Gjykata e Durrësit pushoi procedimin ndaj tij për kallëzimin e bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Ky institucion pas kryerjes së auditimit në Bashkinë Kavajë që drejtohej prej Roshit në vitet 2013- 2014, konstatoi paligjshmëri me fondet publike për Urbanistikën .
Sipas KLSH buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm që përllogaritet në vlerën e 33 milionë lekëve.
Në 2015 KLSH denoncoi në prokurorinë e Durrësit Elvis Roshin për shpërdorim detyre, si dhe 10 vartës të tij, 2 drejtorë të Bashkisë, 2 ish-drejtore, 3 përgjegjës sektori dhe 3 punonjës të tjerë të këtij institucioni.
Rreth një vit më pare ish kryebashkiaku i Kavajës u thirr në Prokurorinë e Posaçme ku dha dëshmi si person në dijeni të çështjes për të cilën kryheshin hetime.
Elvis Roshi është dënuar me 60 orë punë komunitare pasi u gjet fajtor për veprën penale të falsifikimit në formularin e dekriminalizimit./vizionplus.tv