Gjinekologia zbulon shenjat dhe pasojat e PCOS: Shqetësimi kryesor, vështirësitë për të mbetur shtatzënë

“Sindroma e vezoreve policistike (PCOS) mund të shfaqet me simptoma të ndryshme, si aknet, shtimi i qimeve në trup dhe rënia e flokëve, por mund të ndikojë edhe në fertilitetin e grave”. Kështu u shpreh në studion e emisionit “Takohemi n’Vizion”, gjinekologia Alojva Xhelilaj.
Znj. Xhelilaj shpjegoi se si kjo sindromë mund të shkaktojë çrregullime të ovulacionit dhe vështirësi për të mbetur shtatzënë, duke theksuar se adoleshentet janë ndër më të prekurat emocionalisht nga shenjat e saj.
Gjinekologia nënvizoi rëndësinë e trajtimit nga një ekip mjekësor, i cili ndihmon në menaxhimin e çrregullimeve hormonale dhe metabolike.
“Kanë qimëzim të shtuar ose, nga ana tjetër, mund të kenë alopeci, rënie të flokëve, që është ai tipik qimëzimi mashkullor. Ndërkohë, unë, si gjinekologe, bie në kontakt me një pjesë shumë të madhe të pacienteve që hasin vështirësi me fertilitetin. Pra, kjo është ajo që ndikon te fertiliteti: pikërisht kjo bllokimi i vezëve, të cilat mbeten ende të pamaturuara. Jo se nuk ka vezë, por ato kanë nevojë për një ndihmë, një shtysë për të stimuluar ovulacionin. Ndërsa një pjesë e pacienteve që vuajnë nga PCOS-i, por që nuk e kanë në fokus fertilitetin, kryesisht kanë problematika të shfaqjes së endometrit shumë të rritur. Dhe ky endometër, që nuk përballon mirë raportet estrogjen-progesteron, ka risk të lartë për manifestime të kancerit nesër apo pasnesër”, tha gjinekologia Alojva Xhelilaj.
“Adoleshentet janë ato që, kur përballen me këtë sindromë, e kanë përjetimin më të vështirë. Kur shohin veten me akne, qime… Dhe ne e dimë shumë mirë që adoleshenca është periudha kur ti kërkon të krijosh identitetin tënd. Por, qoftë për aknet apo për qimëzimin, ka ndihmë. Më problematike për moshën riprodhuese është kur këto paciente, krahas çrregullimit të ovulacionit, kërkojnë me insistim edhe shtatzëninë. Në momentin kur, përveç kësaj, përballen me sindromën dhe infertilitetin, nis drama e tyre. Me një ekip të mirë, i cili ndihmon në rregullimin e çrregullimeve metabolike dhe endokrine, funksionon shumë më mirë edhe procesi i pjekjes së vezës”, shtoi gjinekologia.
/vizionplus.tv




