Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu hodhi poshtë akuzat e opozitës se në spitalet COVID nuk ka më kapacitete për të shtruar pacientë të infektuar. Në një bashkëbisedim me gazetarët, Manastirliu tha se opozita po shtrembëron realitetin.

 

Ajo shpjegoi se jo vetëm që kapacitetet nuk janë ezauruar, por janë gati edhe spitalet rajonale.

 

“Kujt i shërben shtrembërimi dhe nxjerrja e realitetit, një realiteti që është i vështirë si për ne, edhe për të gjithë botën mbarë, ky realitet nuk është ashtu si do ta shesi opozita. Sot raportohet se në vende si Polonia, Çekia, Franca është vënë alarmi për mbingarkesë të sistemit spitalor. A shihni vallë në këto vende konferenca shtypi ku u bëhet thirrje qytetarëve të mos besojnë tek mjekët e infermierët? A mendoni se ata që shërbejnë çdo ditë meritojnë zhvlerësimin? Në situata si kjo, rruga e duhur për të mbrojtur shëndetin e njerëzve është bashkëpunimi për hir të shëndetit të popullatës. Puna jonë nuk është ndalur për asnjë moment. Kemi forcuar kapacitetet spitalore, në pritje të numrit të rasteve që denim që do të rriteshin për arsye të periudhës së vjeshtë-dimrit. Kemi gati edhe spitalet rajonale për t’u përfshirë në trajtimin e rasteve të COVID-19 në momentin që do të ketë ezaurim të kapaciteteve të paezuruara ende tek katër spitalet që kemi ngritur.”

 

Ministrja zbuloi se në spitalet COVID po marrin trajtim 360 qytetarë.

 

“Mjekët e familjes janë të angazhuar nga momenti i parë. Kanë ndjekur mbi 15 mijë qytetarë që kanë marrë shërbime, konsulta. Në spitale po trajtohen 360 pacientë që janë në kujdesin e mjekëve dhe infermierëve tanë. Nuk mungon as kujdesi, as terapitë, as pajisjet dhe as stafet. Të gjitha janë të siguruara falë një përgatitjeje sistematike përgjatë gjithë periudhës së kësaj pandemie.”

 

Vëmendja e opozitës ditët e fundit ka qenë tek kapacitetet spitalore. Lideri demokrat, Lulzim Basha ka deklaruar se pacientët po dergjen në ambulanca sepse në spitale nuk ka më vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *