Me sa duket Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk është në një mendje me qeverinë, e cila shprehet se ka hapësira për të ulur taksat gjatë vitit që vjen. Në konferencën për shtyp, shefja e këtij misioni për Shqipërinë tha pas vizitës dy javore në Tiranë që është sugjeruar vendosja e taksës së pasurisë bazuar mbi vlerën e pronës. Këtë, Anita Tuladhar e konsideroi urgjente. Sot, shqiptarët paguajnë taksën e pasurisë në bazë të metrit katror që kanë sipas zonave të ndryshme. Por Ministri i Financave, ka mbetur i hapur për të diskutuar me biznesin mundësinë uljes së taksave, ai tha se ka në planin e tij edhe uljen e referencave për rentën minerare dhe TVSH-në në turizëm. Ky qëndrim i Arben Ahmetaj ishte i ndryshëm nga ai i Fondit Monetar, i cili kritikoi qeverinë edhe për krijimin e detyrimeve të reja të prapambetura. Brexit nuk do të prekë momentalisht bankat shqiptare. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i pyetur nga Vizion Plus në konferencën e përbashkët me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për efektet që do të ketë dalja e Anglisë në sistemin financiar, tha se bankat janë të mbrojtura, por janë duke u analizuar ekspozimet që kanë mëmat e tyre në Evropë. Për kreun e Bankës Qendrore ende është herët për të thënë se çfarë efektesh do të japë dalja e Britanisë së Madhe, por Shqipëria si një vend i lidhur me ato të Bashkimit Europian, mund të ketë efekte zinxhir në tkurrjen e eksporteve apo tregun e punës dhe remitancat. Banka Qendrore ka marrë një plan masash për të analizuar riskun e sistemit financiar dhe të efekteve që mund të japë në punësim dalja e Britanisë nga BE.