Subscribe

Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon nga qeveria që nëse realizon amnistinë fiskale për biznesin, tatimet dhe doganat duhet të marrin masa të forta për të mbledhur borxhin aktual. Në një intervistë për Vizion Plus, Jens Reinke, përfaqësues i FMN-së në Shqipëri, thotë se është njohur me këtë draft dhe ka bërë disa rekomandime. Reinke sqaron se nëse bëhet fshirja e të gjitha detyrimeve nga fundi i vitit 2011-të e poshtë, duhet që nga ana tjetër të rritet aftësia e administratës fiskale për të vjelë detyrimet. Ndërsa sa i përket nismës rivlerësimin e shtëpive, FMN thotë se rrezikohet ulja e të ardhurave në buxhet në të ardhmen.

“Duhet të shoqërohet me masa të forta për mbledhjen e borxhit tatimor aktual, me forcimin e aftësisë së administratës tatimore për të mbledhur borxhin dhe  detyrimet aktuale. Ne jemi duke dhënë edhe komente për ta përmirësuar draftin që kemi parë. Ndërsa përsa i përket alternativës për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme gjëja kryesore që kemi vënë në dukje është që kjo alternativë redukton bazën tatimore në të ardhmen. Pra rivlerësimi tani, me një normë më të ulët do të ulte të ardhurat që mblidhen nga tatimi mbi fitimin kapital në të ardhmen. Gjithashtu kemi rekomanduar marrjen e masave kompensuese për efektin neto që do të ketë kjo nisëm.”

Rrezikun e rënies së të ardhurave në buxhet, fondi e sheh edhe në disa premtime të qeverisë për të ulur TVSH-në në sektorin e turizmit dhe rentën minerare. Nëse ulen këto taksa, atëherë duhet të rriten disa të tjera, nënvizon Reinke.

“Çdo masë që çon në uljen e të ardhurave duhet të kompensohet me një masë tjetër që çon në rritjen e të ardhurave në të njëjtën sasi. Pra nëse do të kishte taksa të reja më të ulura për sektorë të caktuar, kjo duhet të kompensohej me rritje taksash për një sektor tjetër. Në një farë mënyre, çfarëdo lehtësimi që do të mund të bëhet për një sektor duhet të paguhet nga publiku në një sektor tjetër përmes taksave më të larta.”

Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehet se në këtë periudhë qeveria nuk mund të marrë parasysh rritjen e pagave për administratën.

“Përsa i përket rritjes së pagave për sektorin publik dua të kujtoj që jemi në një fazë të konsolidimit fiskal dhe dua të kujtoj që Shqipëria ka një deficit të lartë të llogarisë korrente, pra duhen mbajtur parasysh edhe këto dy kufizime përsa i përket politikave që mund të merren në këtë anë.”

Fondi Monetar po ashtu i rekomandon Ministrisë së Financave dhe administratës tatimore vijimin pa ndërprerje të luftës kundër informalitetit dhe jo ndarjen e saj në faza.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *