Pas disa ditë ndërprerje, rikthehet kontrolli shëndetësor në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Lajmi bëhet i ditur nga burime të siguruara pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Devoll, të cilët thanë se punonjës të shëndetësisë janë në këtë pikë kufitare duke kryer matjen e temperaturës së shtetasve në hyrje të Republikës së Shqipërisë si dhe duke kryer intervistimin e tyre.

Aktualisht shërbimi shëndetësor në Kapshticë ofrohet vetëm me një turn, që prej orës 7 të mëngjesit dhe deri më 15.00, ndërkohë që në pjesën tjetër të ditës janë punonjësit e policisë kufitare të cilët kryejnë intervistimin e personave që hyjnë në vend, por nuk bëjnë matjen e temperaturës së tyre.

Sipas të njëjtit burim këto të dhëna u dërgohen më pas bashkive të vendit ku këta persona kanë vendbanimin.

Rikthimi i kontrolleve shëndetësore në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës është bërë për shkak të rritjes së fluksit të lëvizjeve gjatë ditëve të fundit, aq sa mesatarisht hyrjet nga Greqia në drejtim të Shqipërisë shkojnë nga 250-300 shtetas. Gjithnjë sipas burimeve nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Devoll pritet që pas datës 1 qershor kur pritet rifillimi i lëvizjeve normale, të ketë kontrolle shëndetësore 24 orë në 24.

Kontrollet shëndetësore janë rikthyer edhe në pikat e tjera kufitare të qarkut të Korçës, në Qafë Thanë, Tushemisht, Gorricë e në pikën e kalimit kufitar të Tre Urave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *