Subscribe

Ka nisur në Kuçovë ceremonia e çeljes së bazës ushtarake të NATO-s.

Të pranishëm janë krerët e shtetit, duke filluar nga kryeministri Edi Rama, te presidenti Bajram Begaj.

Lexo edhe :

Related Posts

Gjatë ceremonisë mbajtën fjalën, Rama, Begaj, ministri i Mbrojtjes NIKO Peleshi dhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

” Hapet baza ajrore e NATO-s, me infrastrukturë moderne për flotën tonë të helikopterëve e dronëve të armatosur dhe avionët luftarakë të Aleancës, e cila do të shërbejë edhe për të çuar në një tjetër nivel përgatitjen e aviatorëve tanë, ndërkohë që i jep vendit tonë një rëndësi të re gjeostrategjike”, shkruan kryeministri Rama.

11:36- Nis spektakli i avionëve në Kuçovë, çfarë janë “bishat” që po fluturojnë tani mbi Shqipëri

Pas ceremonisë së hapjes së bazës së NATO-s në Kuçovë ka nisur edhe spektakli me avionët mbi bazë. Mësohet se aktualisht mbi qiellin shqiptar janë duke fluturuar dy avionë të topit “Typhoon Eurofighter”.

Ky tip avionësh shumërolësh është prodhim i disa shteteve të fuqishme të Bashkimit Europian, siç janë Italia, Gjermania dhe Spanja, etj.

Projekti për prodhimin e “Typhoon” si një avion i Europës ka nisur që në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, por u shty disa herë për shkaqe të ndryshme. Në projekt ishte edhe Franca, por ajo u tërhoq disa vite më pas duke prodhuar avionin e vet “Rafale”.

“Typhoon” është avion i gjeneratës 4.5 dhe konsiderohet më i avancuar se F-16 amerikane.

Eurofighter “Typhoon” u futën në përdorim në vitin 2003 dhe krahas shteteve që zhvilluan projektin po përdoren tani edhe nga Austria, Arabia Saudite, Kuvajti, Omani. Deri më tani janë prodhuar gjithsej 592 avionë të këtij tipi dhe synohet që të eksportohen edhe në vende të tjera të Bashkimit Europian edhe më gjerë.

11:10- Baza e NATO-s në Kuçovë, Begaj: Së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes

Presidenti Bajram Begaj ka mbajtur fjalën në seremoninë e çeljes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.

Ai tha se kjo ngjarje shënon një kapitull të ri në koordinimin mes aleatve, teksa shtoi se nga kjo bazë dërgohet mesazhi i fuqishëm i paqes.

Begaj shprehu mirënjohjen ndaj aleatëve të NATO-s për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit euroatlantik.

Fjala e plotë e presidentit:

Rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës, shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e të gjithë rajonit tonë.

Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes.  

Nga kjo bazë, Ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes  dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive.

I shpreh mirënjohjen të gjithë aleatëve tanë në NATO, veçanërisht partnerit tonë strategjik, SHBA-së, për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugëtimin euroatlantik.

Detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në BE janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë.

Baza Ajrore Taktike e NATO-s, e ngritur në Kuçovë, ku historia takohet me modernen, simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt.

Ky zhvillim nuk është vetëm një arritje ushtarake, është simbol i qartë i angazhimit tonë për të mbrojtur vendin, dhe parimet e vlerat demokratike që ne, si aleatë të NATO-s, ndajmë së bashku.

Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët kanë te Shqipëria, si një partnere e denjë dhe e përkushtuar.

NATO nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën. Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës.

Për Shqipërinë dhe Forcat tona të Armatosura, një investim strategjik në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur ndër vite.

Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar.

Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera, terrorizmi, si dhe kërcënime të tjera përbëjnë sfida për interesat dhe vlerat që përfaqëson bashkësia euroatlantike.

Konfrontimet politiko-ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen. Kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar në sulmin terrorist të Banjskës, në Kosovë.

Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë, të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më.

Në këtë situatë sigurie globale të paqëndrueshme, ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten, dhe për të kontribuar në Aleancë për garantimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit.

Ndaj, Baza e Kuçovës ka një mision mbrojtës dhe shkurajues, një qendër e rëndësishme për operacionet e NATO-s, për të përballuar kërcënimet e sotme dhe të nesërme.

Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon e më gjerë.

Rritja e buxhetit për mbrojtjen, modernizimi i forcave tona të armatosura, rritja e kapaciteteve mbrojtëse dhe fuqizimi i kapaciteteve njerëzore janë domosdoshmëri.

Unë mbështes çdo nismë që qeveria ka ndërmarrë për mbështetjen sociale të personelit të Forcave të Armatosura sepse të jesh pjesë e Forcave të Armatosura nuk është vetëm një profesion, është krenari kombëtare, i shërben Atdheut dhe kauzës së lartë të paqes dhe sigurisë.

Të nderuar të pranishëm,

NATO feston këtë vit 75-vjetorin e krijimit dhe Shqipëria 15-vjetorin e anëtarësimit. Nuk ka më mirë që këta përvjetorë të festohen me investime të tilla të rëndësishme.

Kjo  bazë, si dhe angazhimi ynë në NATO, është investim në mbrojtjen e vendit tonë, është investim në të ardhmen e fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë pas nesh, është dëshmi e përkushtimit tonë për të punuar së bashku me aleatët tanë për të ndërtuar një botë më të sigurt për të gjithë.

11:08- Inaugurimi i bazës së NATO-s, Nikolla: Shqipëria ndër vendet e para që ka ratifikuar anëtarësimin e aleatëve të rinj

Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla ka mbajtur fjalën e saj gjatë inaugurimit të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.

Aho theksoi se Shqipëria ka qenë një anëtare e denjë e Aleancës, teksa theksoi se  Parlamenti ka qenë ndër të parët në NATO, që ka ratifikuar anëtarësimin e vendeve të reja.

“Vështirë të gjendet një vend anëtar i Aleancës i cili vetëm pas një dekade e gjysmë të jetë bërë një partner i denjë për mbrojtjen dhe sigurinë e Aleancës. Një popull që e ka provuar mungesën e lirisë bën gjithçka për mbrojtjen e saj. Ne kemi të drejtë të krenohemi se SHBA sdhe partnerët e tjerë që nëse ka një vend anëtar që mbështet pa asnjë dilemë parimet e NATO-s, është Shqipëria.

Kuvendi ka qenë ndër të parët parlamente të aleancës që ka ratifikuar protokollet e anëtarësimit të aleatëve të tjerë”, tha Nikolla.

11:06- “Edhe të vdekurit kërcenin nga gëzimi”, Rama kujton ardhjen e Hrushovi-t në Shqipëri: Sot jemi në anën tjetër

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij nga ceremonia e inaugurimit të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë tha se kjo bazë është një pikë strategjike e rajonit dhe aleancës. Kreu i qeverisë solli në vëmendje edhe  një artikull të gazetës Zëri i Popullit në vitin 1954, kur shkruante për vizitën e liderit Nikita Hrushovit në Shqipëri.

Rama tha se kjo bazë aso kohe konsiderohej një vend strategjik i Perandorisë Sovjetike dhe ishte pjesë e planit të Kremlinit aso kohe për të sulmuar vendet perëndimore edhe me avionët që ishin në bazën e Kuçovës. Por sot, theksoi kreu i qeverisë, jemi në anën tjetër të historisë.

“Jam këtu si përfaqësues i një gjenerate tjetër që pa ndryshimet demokratike. Po i referohem një fragmenti të ërit të Popullit në maj të 1954-ës kur në Shqipëri erdhi udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik. Gazeta shkruante; të vdekur po kërcënenin nga gëzimi dhe lulet atë maj kishin çelur me herët për të pritur Hrushovin.

Në atë kohë Shqipëria në këtë bazë që rihapet sot, konsiderohej si vend strategjik i perandorisë sovjetike përballë botës perëndimore. Këtu në Kuçovë ishin sistemuar një numër jo i vogël avionësh bombardues. Lufta do të niste me bombardimin e Vjenës, Shtutgartit. Sot jemi në anën tjetër. Shqipëria mirëpret aleatët e saj dhe partnerët në një aleancë që është aleancë vlerash në mbrojtje të paqes dhe demokracisë. Unë jam i lumtur sot që këtu janë miq, partnerë aleatë dhe doja t’i falënderoja. Doja të falënderoja ministrin e brendshëm të Italisë, që ka marrë dhe avionë luftarakë me vete”, tha Rama. 

10:55- “Ballkani i rrezikuar nga ambicia e Rusisë”, Rama: Baza e NATO-s element sigurie

Kreu i qeverisë, Edi Rama i pranishëm në ceremoninë e hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë u shpreh se sot jetojmë në një epokë tjetër dhe Shqipëria pret me krenari dhe respekt aleatët e saj dhe partnerët.

Rama: Jam i lumtur që një punë e nisur prej shumë kohësh, arriti të përfundojë dhe këtu bashkë me ne janë edhe plot miq, partnerë, aleatë. Kjo bazë është e transormuar dhe e gatshme si një bazë e re e NATO-s me një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Kjo është një bazë e cila është element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, i cili e dimë mirë se është një rajon jo i parrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet e Federatës Ruse. Riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është pjesë e ripërtëritjes dhe rritjes së mëtejshme cilësore të flotës tonë ajrore. Dy helikopterët e rij Black Hawk dhe dronët Bayraktar janë pjesë e një rritjeje që do të vazhdojë. Uroj shumë që baza e NATO-s të sjellë për banorët e zonës mundësi të reja punësimi si dhe mundësi tëreja për gjithë zinxhirin e shërbimeve.

10:47- Baza ajrore në Kuçovë, David Wisner: Përgëzoj Shqipërinë për përkushtimin ndaj NATO-s

I Ngarkuari me Punë i Ambasadës Amerikane në Shqipëri, David Wisner ka mbajtur fjalën e tij gjatë ceremonisë inauguruese të bazës ajrorëe të NATO-s në Kuçovë.

Ai tha se kjo dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj Aleancës, teksa e përgëzoi vendin për këtë arritje.

“Është një nder i veçantë të jesh këtu për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. E përgëzoj Shqipërinë në përurimin e bazës së parë të NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Ky është një gur kilometrik në përkushtimin e Shqipërisë në parimet e NATO-s. Që nga pushimi i i Ukrainës nga rusia NATO është rritur si simbol i angazhimit tonë. Përgëzoj dëshirën e Shqipërisë për të zgjeruar më tej bashkëpunimin me NATO-n”,  tha Wisner.

10:41- “Shqipëria më e mbrojtur brenda NATO-s”, De Lara: Aleanca jonë e angazhuar në rajon

Komandanti i qendrës së operacioneve ajrore të kombinuara të NATO-s, Lieutenant General Juan Pablo Sanchez De Lara tha se hapja e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë rikonfirmon edhe një herë rëndësinë e Shqipërisë brenda Aleancës. Në fjalën e tij De Lara tha se vendi ynë do të ndihet më i mbrojtur brenda e Aleancës dhe premtoi se vendet e NATO-s do të vijojnë të qëndrojnë krah për krah.

De Lara: Shqipëria është integruar plotësisht në sistemin e mbrojtjes ajrore të NATO-s në 2018. Përfshirja e Shqipërisë është simbol i kontributit të saj në këtë pjesë të aleancës dhe kjo dëshmon unitetin e NATO-s. Duke punuar së bashku ne garantojmë sigurinë për njerëzit tonë, ecuri dhe gjithashtu duke ndërtuar solidaritet dhe besim të ndërsjelltë, dy instumente kryesore në NATO. Aleanca e NATO-s garanton në mënyrën më të mirë sigurinë e hapësirës ajrore. Përurimi i bazës ajrore në Kuçovë dëshmon se Aleanca jonë është e angazhuar mjaft në këtë rajon. Nëse hedhim sytë reth nesh, ëshët e dukshme se Shqipëria është më shumë se kurrë e gatshme që të marrë më shunmë përgjegjësi që të mbrojë sigurinë dhe paqen. Kjo bazë do të jetë në përputhje me standardet e NATO-s. Këto instalime ndihmojnë që ne të kemi më tepër mundësi dhe gatishmëri ushtarake. Duhet të jemi të gatshëm edhe për planet dhe operacionet e NATO-s. Shqipëria do të jetë edhe më e sigurt dhe e mbrojtur brenda NATO-s. Së bashku do të qëndrojmë krah njëri-tjetrit.

10:23- Hapet baza e NATO-s në Kuçovë, Peleshi: Aset për gjithë rajonin

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka mbajtur fjalën i pari gjatë ceremonisë së inaugurimit të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë. Në fjalën e tij, ministri Peleshi deklaroi rihapjen zyrtare të bazës së Kuçovës e cila përbën një prej investimeve më madhore.

Peleshi: Ndjenja e krenarisë që sot provojmë është mëse e dukshme. Jo vetëm për faktin që një ekip ka punuar ditë e natë për këtë bazë, por edhe për faktin që një vend i vogël si Shqipëria ka nderin dhe privilegjin t’i ofrojë Aleancës këtë aset të vyer në skemën e saj të mbrojtjes kolektive. Edhe koha që në Kuçovë të ndihet jehona e avionëve të NATO-s, Kuçova do të shërbejë si baza kryesore për forcat tona ajrore.  Konsiderojeni këtë bazë si një pikë kyçe për misionet tuaja. Gjithashtu kjo bazë ka kapacitetet për të mbështëtur operacionet tona të përbashkëta në përballje me fatkeqësitë natyrore. Ndihma dhe mbështetja që mund të japë për vendet fqinjë na bën të ndihemi më të vlefshëm se kurrë më parë.

Peleshi u ndal te agresioni rus në Ukrainë dhe tha se lufta tronditi bindjen që siguria në shekullin ku jetojmë është e pacenueshme. Ai bëri thirrje për të qenë të përgatitur dhe theksoi se Shqipëria do të jetë e gatshme aty ku koha do ta kërkojë.

Peleshi: Baza që inaugurojumë sot është një aset për gjithë rajonin. Shqipëria do të vijojë përpjekjet e saj për të vendosur në përdorim të NaTO-s edhe portin ushtarak të Porto Romanos që së bahsku me korridorin strategjik 8 i siguron Aleancës tonë kalimin më të shkurtër nag brigjet e Adriatikut në Detin e zi.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Arben Kingji tha se nevoja për një infrastrukturë bashkëkohore është bërë më e madhe se kurrë teksa përballemi me sfida komplekse.

Kingji: Sot, pas përfundimit me sukses të këtij projekti madhor, ofrohet një vlerë e shtuar në infrastrukturën tonë të mbrojtjes që riafirmon përkushtimin tonë ndaj aleancës. Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e forcës tonë ajrore. Në një epokë të karakterizuar nga sfida komplekse, nevoja për një infrastrukturë bashkëkohore është bërë më e madhe se kurrë. Kjo bazë do i përgjigjet kërcënimeve që vijnë nga kufiri jugor dhe lindor i aleancës. Baza ajrore e Kuçovës, e vetmja e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, do të kontribuojë në stërvitjet e aleancës. Përpjekjet tona tani do të përqëndrohen në një projekt të rëndësishëm, Porti i Porto Romanos.

Në fund të fjalës së tij, ministri Peleshi falenderot të gjithë ata që punuan për rikthimin e shkëlqimit në bazën e NATO-s.

AGJENDA

07:45 Nisja për në Bazën Ajrore Kuçovë

09:30 Mbërritja në Bazë

10:10 Mbërritja e autoriteteve të larta shtetërore dhe të huaja

10:25 Fillimi i ceremonisë

10:30 Fjala e përshëndetëse e Ministrit të Mbrojtjes Niko PELESHI

10:35 Fjala përshëndetëse e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Arben KINGJI

10:40 Fjala përshëndetëse përfaqësueses së NSPA Stacy. A. CUMMINGS

10:45 Fjala përshëndetëse NATO CAOC Torrejon Commander, Lieutenant General Juan

Pablo Sanchez DE LARA

10:50 Fjala përshëndetëse e të Ngarkuarit me Punë të Ambasadës Ameriakne David ËISNER

10:55 Fjala përshëndetëse e Ministrit Turk të Mbrojtjes Yaşar GÜLER

11:00 Fjala përshëndetëse e Ministrit Italian të Mbrojtje Guido CROSETTO

11:05 Fjala përshëndetëse e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi RAMA

11:15 Fjala përshëndetëse e Kryetares se Parlamentit Lindita NIKOLLA

11:20 Fjala përshëndetëse e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bajram BEGAJ. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *