Subscribe

Fermerët e fshatrave Mançurisht, Progër e Vranisht në bashkinë e Devollit edhe këtë vit vazhdojnë të presin sipërfaqe të mëdha me mollë të varieteteve të ndryshme.

 

E gjithë kjo situatë, sipas tyre është krijuar për shkak të mungesës së tregut kryesisht për mollët tradicionale gold dhe starking.

 

Dorian Rusi, fermer i kësaj zone, kishte mbjellë qindra mollë pas kthimit nga emigracioni. Prej dhjetë vitesh ai është përpjekur të shtojë prodhimin e ta shesë atë, edhe me çmime nën kosto. Por tkurrja e tregut po e detyron atë të presë pemët e ndoshta edhe ta rikthejë në emigracion.

 

DORIAN RUSI

 

FERMER I FSHATIT MANÇURISHT

 

Erdha nga Greqia. Mbolla bahçat, e tani do iki prapë. Ça të bëjmë këtu? Po vdesim për bukë. Hodha 4.5 mln, mora 3.5 mln lekë. Ça do bëj me kaq? Kam tre fëmijë. Rruga e vetme, i premë e tani të ikim në emigrim. Vetëm pleq ka në fshat.

 

Si të mos mjaftonin problemet me tregun, fermerët në Devoll u përballën këtë vit edhe me dëmtimin e prodhimit të mollëve nga breshëri.

 

YLBER ZACLLI

 

FERMER I FSHATIT VRANISHT

 

Vetëm motorseka kërcet. Ça të bëjmë, nuk shkon asnjë gjë. Kam patur 10 dylym mollë, do i pres të gjitha.

 

MYREDER MUSA

 

FERMER I FSHATIT MANÇURISHT

 

Popullsia është rralluar. S’ka kërkesë. Kam prerë 3 dylym

 

Në Agjencinë Rajonale të Bujqësisë Korçë, thonë se kjo situatë është pasojë e ndryshimit të kultivarëve të mollës nga fermerët, që kanë hequr dorë nga varietetet të cilat nuk kërkohen nga tregu vendas.

 

Por fermerët duhet të tregojnë më shumë kujdes për cilësinë e prodhimit si dhe standardizimin, nëse duan të dalin në tregun rajonal.

 

Në fushën e Devollit janë mbjellë më shumë se 780 hektarë me mollë, ndërkohë që sipas fermerëve, gjatë viteve të fundit, është prerë afro gjysma e kësaj sipërfaqeje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *