E premte, 27 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Falja e 36 mijë faturave të energjisë elektrike, Karakaçi: Do të nisim një ligj të posaçëm

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë të ditur se rreth 36 mijë fatura të energjisë elektrike, të lidhura me detyrime dhe gjoba të vendosura gjatë periudhës 2008–2013, pritet të falen përmes një ligji të posaçëm.

Sipas Karakaçit, pas shqyrtimit të ankesave të qytetarëve në platformën “Fol me Kryeministrin”, është konstatuar se këto detyrime janë vendosur në mënyrë të padrejtë dhe të gabuar ndaj abonentëve.

Ministri, me anë të një postimi në rrjetet sociale, bëri me dije se është ngritur një grup pune për vlerësimin e rasteve dhe se do të nisin procedurat ligjore për faljen e tyre.

Karakaçi theksoi se në platformë janë paraqitur 68 raste që lidhen me fushën e përgjegjësisë së ministrisë, nga të cilat 34 janë adresuar, ndërsa 34 të tjera vijojnë të jenë në proces shqyrtimi.

Reklamë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi:

Në platformën “Fol me Kryeministrin” kanë ardhur 68 raste që lidhen me fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Nga këto, 34 raste tashmë kanë marrë adresim dhe 34 janë në proces shqyrtimi.

Një nga çështjet më të rëndësishme që është ngritur gjatë kësaj periudhe lidhet me disa detyrime dhe gjoba të vendosura për abonentët e energjisë elektrike gjatë periudhës 2008–2013. Unë kam ngritur menjëherë një grup pune për t’i vlerësuar këto detyrime. Kemi konstatuar që ato janë të padrejta dhe janë vendosur në mënyrë të gabuar ndaj këtyre klientëve. Dhe si rrjedhojë e këtyre ankesave, do marrim masa të menjëhershme ligjore që të iniciojmë një ligj të posaçëm për të falur këto detyrime.

Kemi të bëjmë me rreth 36 mijë fatura të energjisë elektrike të periudhës 2008–2013, të cilat do të falen me miratimin e këtij ligji. Inkurajoj çdo qytetar që të vazhdojë të shkruajë tek platforma “Fol me Kryeministrin”, pasi unë besoj fuqimisht që nëpërmjet diskutimit dhe ngritjes së shqetësimeve kemi mundësi që të zgjidhim situatën, por edhe të marrim dijeni për çështje të caktuara që kanë shqetësim për qytetarët.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.