Subscribe

Britania e Madhe po përjeton një nga ditët më të vështira, si pasojë e kushteve ekstreme të motit. “Bisha nga lindja” ka shkaktuar kaos në transport dhe dëme të konsiderueshme materiale.

 

4 persona humbën jetën në dy aksidente automobilistike. Disa rrugë u mbyllën për shkak të përplasjeve masive të makinave. Autoritetet kanë aktivizuar alarmin e “rrezikut të jetës dhe pronës” dhe u kanë kërkuar banorëve që të shmangin daljen nga shtëpitë.

 

Por dëbora ka përfshirë pothuajse të gjithë Europën. Në Suedi, stuhia arktike ka bërë që automjetet të braktisën dhe të lihen në mes të rrugës.

 

Edhe Italia është përfshirë nga i ftohti siberian. Nga Veriu në Jug janë regjistruar temperatura nën zero si dhe reshje të mëdha dëbore që kanë bllokuar shumë rrugë kanë shkaktuar vonesa në qarkullimin hekurudhor e ajror. Të gjitha shkollat dhe universitetet janë mbyllur si dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve të rënda. Këshilli Kombëtar i Mbrojtës Civile është mbledhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke përcaktuar një plan masash kundër rrezikut ndaj ngricës .

 

Dëbora dhe temperaturat e ulëta kanë ngrirë edhe detin në gjirin Ivinj në Tisno, Kroaci. I ftohti ekstrem po zgjerohet drejt Gadishullit Ballkanik, ndërsa i gjithë rajoni është përfshirë nga temperatura të ulëta dhe reshje të dëborës, të cilat kanë rënë madje edhe në pjesë të bregdetit të Adriatikut.

 

Kushtet e ashpra atmosferike edhe në Kosovë janë bërë shkak për mbylljen e shkollave fillore e atyre të mesme gjatë ditës së sotme.

 

Maqedonia gjithashtu vazhdon të përballet me temperatura të ulëta të cilat sot kanë arritur kulmin. Një pjesë e madhe e akseve rrugore janë bllokuar, duke shkaktuar vështirësi në lëvizjen e qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *