Subscribe

Ministri për Evropën dhe punët e jashtme, Igli Hasani vijoi sot ditën e tretë të turit rajonal duke u ndalur në Malin e Zi.

Në Podgoricë, Hasani u prit nga homologu Filip Ivanoviç me të cilin diskutuan për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e fundit të dy qeverive.

“E kam fjalën këtu për marrëveshjet për hapjen e pikave të reja kufitare, rritjen e investimeve dhe projekteve në zonat ndërkufitare, me një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së këtyre zonave, të transportit rrugor, ujor e hekurudhor, me fokus përfshirjen në korridoret evropiane”,  tha Hasani.

Nga projektet më të rëndësishme, ministri veçoi ndërtimin e urës mbi Lumin Buna.

 “Një projekt që do të nxisë perspektivën e zhvillimit në të dy vendet tona dhe do t’i shërbejë integrimit rajonal dhe qarkullimit më të mirë të mallrave”, u shpreh Hasani.

Ministri i Malit të Zi, Filip Ivanoviç vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.

“Një nga prioritetet tona është pjesëmarrja aktive në aleancën e NATO-s. Gjithashtu devotshmëria e plotë në integrimin evropian dhe në këtë drejtim të shfrytëzojmë pozitën tonë të prijësit në këtë proces dhe të bëjmë një hap së bashku drejt hyrjes në union. Suksesi i një vendi është lajm i mirë për të gjithë vendet që aspirojnë”, tha Ivanoviç.

Pjesë e rëndësishme diskutimeve të diplomatëve ishte dhe roli i minoriteteve që jetojnë në të dy vendet. Gjatë qëndrimit në Mal të Zi, ministri Hasani do të takohet edhe me presidentin e vendit, Jakov Milatovic, zëvendëskryeministrin shqiptar Nik Gjelshaj dhe zyrtarë të tjerë të lartë politikë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *