Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon vendosjen e sekuestros preventive të pasurive të shtetases polake Anna Morgenstern, e cila rezulton e përfshirë në investime në pasuri të paluajtshme me burime të panjohura fondesh dhe dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Prokuroria ka nisur procedim penal më datë 4 janar të këtij viti për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Anna Morgenstern rezulton se është bashkëshortja e shtetasit gjerman  Stephan Morgenstern i kërkuar për mashtrim financiar dhe i arrestuar në aeroportin e “Rinasit” më datë 21.08.2023, pasi akuzohet se ka krijuar një skemë piramidale në nivel ndërkombëtar, nëpërmjet së cilës së bashku me individë të tjerë kanë përfituar rreth 28 milionë euro.

Sipas informacionit të referimit “Interpol” dhe prokurorë nga pesë vende të ndryshme, kanë punuar për kapjen dhe bllokimin e aseteve të këtij shtetasi në Dubai.

Hetimet

Nga hetimi i kryer deri më tani në Shqipëri, plotësohen kriteret për t’u vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të shtetases Anna Morgenstern pasi ekzistojnë indicie dhe prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se kjo shtetase në bashkëpunim me bashkëshortin e saj, Stephan Morgenstern kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Nga hetimi i mbështetur edhe në praktikat e ekstradimit të mbajtura për Stephan Morgenstern, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka kryer vepra penale nëpërmjet mashtrimit dhe pastrimit të produketeve të veprës penale në disa shtete që kërkojnë edhe ekstradimin e tij, si Korea e Jugut dhe Polonia. Ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka përfituar shuma të mëdha parash nëpërmjet skemave të mashtrimit.
Paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme ai dhe bashkëshortja e tij, dyshohet se i kanë investuar në blerjen e pronave, në vende të ndryshme nga ku dyshohet se është konsumuar vepra penale e mashtrimit.

Kështu investimet nga ana e të dy bashkëshortëve, nuk janë bërë vetëm në Dubai, por ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur edhe në provat e administruara gjatë hetimit, se të gjithë pasuritë që shtetasja Anna Morgenstern ka blerë në Shqipëri, janë blerë me paratë e bashkëshortit të saj, të fituara si pasojë e mashtrimit, në disa vende të botës.

Vlerat e blerjes së pasurive të paluajtshme që janë shuma të konsiderueshme, si 483,000 euro, 28,000 euro etj., janë indicie të mjaftueshme se pasuritë janë produkt i veprës penale.

Çfarë u sekuestrua

Pasuria nr.590/1/62+4-7, volum 14, faqja 170, ZK.2529, sip.176,06 m2, e llojit apartament, me vlerë fillestare 483 000 euro, vendodhja Lundër, Tiranë;

Pasuria nr.590/1/62+4-G10, volum 14, faqja 181, ZK.2529, e llojit garazh, me sip 13.08 m2, në Lundër me vlerë 11 500 euro; dhe

Pasuria nr.590/1/62+4-G11, volum 14, faqja 182, ZK.2529, me sipërfaqe 19.03 m2, e llojit garazh në Lundër me vlerë 15 500 euro./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *