“Kemi marrë kërcënime nga politika, media dhe sidomos nga krimi i organizuar”. Kështu është shprehur drejtuesi i SPAK, Altin Dumani gjatë vizitës zyrtare në Bruksel në Qendrën Europiane të Politikave.
Dumani theksoi zhvillimin e SPAK-ut si një institucion model i reformës në drejtësi në Shqipëri, i ndërtuar mbi pavarësinë, profesionalizmin, qëndrueshmërinë institucionale, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe besimin e publikut.
Drejtuesi i SPAK vuri në dukje se rrjetet shqiptare të krimit operojnë në pothuajse të gjitha vendet e BE-së, por edhe në SHBA e Amerikën Latine, çka e bënte bashkëpunimin ndërkombëtar të domosdoshëm.
Sot, shtoi ai, SPAK konsiderohet partner i besueshëm.
Dumani: Vështirësitë kanë qenë të shumta. Ne në dhjetor mbushim 6 vjet. Vështirësitë kryesore kishin të bënin me organizimin e institucioneve. Një vështirësi tjetër ishte presioni i madh që gjendeshim, i publikut qe kërkonte rezultate, pasi SPAK-u shihej, që prej krijimit, si një shpresë për funksionimin e institucioneve dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ndërsa pritshmëritë ishin të mëdha, mundësitë tona reale ishin të kufizuara.
Tjetër vështirësi ishte menaxhimi i presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme që vinin drejt prokurorisë dhe prokurorëve të posaçëm, nga politika, nga media, por sidomos nga krimi i organizuar. Megjithatë, prokurorët e SPAK-ut kanë përvojë dhe janë të përgatitur për t’i përballuar këto presione, pavarësisht nga vijnë ato.Secili ka një përvojë të admirueshme dhe janë profesionalisht të maturuar.
Pavarësia e SPAK nuk është simbolike. Është kushti që u ka lejuar prokurorëve të punojnë pa frikë dhe pa ndërhyrje. SPAK ka qenë institucioni më i besuar në Shqipëri për tre vite me radhë, me rreth 70 për qind mbështetje.
/vizionplus.tv





