Dy ditë pas vrasjes së 25-vjeçarit nga efektivi i policisë, qindra qytetarë kanë zhvilluar sërish protesta duke kërkuar drejtësi për Klodian Rashën.

Ashtu si një ditë më parë, edhe në këtë protestë shpërtheu dhuna dhe përplasja e ashpër fizike mes qytetarëve dhe policisë.

Për tre orë me rradhë, qytetarët e kthyen qendren e Tiranës dhe zonat përreth në një fushë beteje me forcat policore.

Fillimisht qytetarët protestuan përpara godinës së Ministrisë së Brendshme, ku goditën me sende të forta uniformat blu. Duke shkulur pllakat e trotuarëve dhe të Bulevardit, qytetarët shkatërruan dritaret e ministrisë.

Në këto kushte policia ka përdorur gaz lotsjellës kundër protestuesve, të cilët menjëherë nisën të dhunojnë ministrinë e Financave, selinë e Partisë Socialiste, Bashkinë e Tiranës, ambientet dekorative për festat etj.

I njëjti skenat si një ditë më parë, protestuesit sulmuan edhe selinë e Kryeministrisë. Policia për të shpërndarë turmat e qytetarëve u detyrua që të përdorë autobotet me ujë me piper. Dhunës së qytetarëve nuk i ka shpëtuar as Muzeu Kombëtar dhe KQZ.

Pavarësisht situatës, qytetarët nuk janë tërhequr nga protestat e tyre të dhunshme. Përpara ambasadës ruse ata kanë bllokuar rrugën dhe kanë djegur kazanët e mbeturinave. Duket se protestuesit, ku një pjesë e madhe e tyre ishin adoleshentë, nuk kanë kursyer asgjë. Madje edhe semaforët në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, Zhan Dark dhe ai Gjergj Fishta janë thuajse të shkatërruara.

Prej më shumë se tre orësh Tirana u kthye në një qytet të pushtuar nga turmat që shkatërronin çdo gjë që i dilte përpara. Përplasje të forta kishte edhe në te kryqëzimi i rrugës së Elbasanit, në afërsi të Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku edhe këtu u dogjën kazanët e mbëturinave.

Policia ka arrestuar me dhjetera qytetarë të cilët u identifikuan si personat që kanë dhunuar efektivët dhe institucionet shtetërore.

Kjo është dita e dytë që qytetarët protestojnë duke kërkuar drejtësi për Klodian Rashën. Në të dyja ditët, mes qytetarëve dhe policisë ka shpërthyer një përplasje e ashpër fizike ku dhjetra prej tyre janë dërguar në spitale ku disa janë në gjendje të rënduar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *