Debat për “Sky ECC” në parlament, PD: Deputetët të bëjnë transparencë! PS: T’a shohim me kujdes
Nga Olta Blaceri
Mazhoranca ka rrëzuar propozimin e kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, që çdo deputet të detyrohet të deklarojë nëse ka përdor apo jo ndonjë nga aplikacionet Sky Ecc apo EncroChat.
Në mbledhjen e këshillit të mandateve dhe rregullores, Bardhi argumentoi se në momentin që ky detyrim është vendosur për forcat e policisë se shtetit, duhet të vendoset si detyrim në rregulloren e kuvendit edhe për deputetët.
Por, socialistët argumentuan se çështje të tilla duhen parë me kujdes duke propozuar ngritjen e një grupi punë për të riparë të gjithë rregulloren e kuvendit.
“Është detyrimi jonë ti bëjmë qytetarëve transparencë. Është turp ti kërkosh policit me pagë 600 mijë lekë, që është roje që deklaron nëse përdor Sky ECC ndërkohë që ata ia kërkojnë kanë përdorur Sky ECC. E ne këtu themi ka implikime ligjore, transparenca. Asnjë implikim ligjor, veç vullnetit për t’ia fshehur publikut se kush është ajo pakicë që ka përdorur këtë aplikacion për të komunikuar me krimin e organizuar”, tha Bardhi.
“Të ngremë një grup pune për të parë disa elementë. A duhet futur në Rregullore? Apo e fusim tek Kodi i Etikës? Mos ka emra të tjerë aplikacionesh? Duhen parë me kujdes. T’ja kalojmë grupit të punës pranë Sekretarit të Përgjithshëm. Duhet parë më gjerë mund ta shtrijmë tek drejtësia, tek kryetarët e bashkive. Por unë nuk e mendoj kështu. S’e kush bashkëpunon me krimin e di mirë ti”, deklaroi Bledi Çuçi.
Ndërkaq këshilli i mandateve vendosi ti kalojë seancës plenare me të parë, çështjen e deputetit socialist Vullnet Sina. Opozita pretendon se socialisti Sina ka përfituar para publike në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit, ndaj i duhet çuar Gjykatës Kushtetuese çështja e mandatit të tij si deputet.
Socialistët nuk bënë komente për rastin, por më herët ata janë shprehur se Gjykata Kushtetuese nuk mund të detyrojë deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar, ndaj mbetet për tu parë se si do të veprojnë në seancë, do ta votojnë apo jo dërgimin në kushtetuese të kolegut të tyre Vullnet Sina. /vizionplus.tv




