“Lëndimi i Erion Vishkullit, kambanë alarmi për pasojat e dhunës në protesta”, Koçiu: I riu po trajtohet në Itali

Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas plagosjes së Erion Vishkullit gjatë protestës, duke dënuar dhunën dhe duke akuzuar kundërshtarët politikë se po e shfrytëzojnë ngjarjen për propagandë.
Në reagimin e saj në rrjetet sociale, Koçiu thekson se qeveria është angazhuar për trajtimin e të riut në një spital në Itali dhe transportimin e tij me avion mjekësor.
“Dhuna e verbër, e nxitur nga ekranet dhe inatet e vjetra politike, është kthyer në një rrezik serioz për jetën e vetë protestuesve dhe të qytetarëve.
Lëndimi i të riut nga Elbasani është një kambanë alarmi për pasojat e rënda që sjell dhuna në protesta. Është e papranueshme që një ngjarje e tillë të shfrytëzohet për propagandë dhe për të justifikuar vijimin e kësaj rruge pa krye.
Qeveria shqiptare është angazhuar maksimalisht për të garantuar trajtimin e të riut në një spital në Itali, si dhe transportimin e tij me avion mjekësor.
Koha e atyre që kërkojnë të shkatërrojnë gjithçka që po ndërtojmë me aq mund, po mbaron. Drita e Shqipërisë sot është shumë herë më e madhe se errësira e tyre”, shkruan zv.kryeministrja Koçiu.




