Një ditë pas mandatimit të ish-zyrtarit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, 62 vjeçari Carlo Cottarelli, vijon planin për krijimin e qeverisë së re të përkohshme. Por nga ana tjetër vendimi i presidentit Sergio Mattarella për mandatimin e ekonomistit, ka shkaktuar reagimin e ashpër të partive të koalicionit të Lega Nord dhe 5 Yjet. Luigi Di Maio i bëri thirrje qytetarëve italianë të protestojnë më 2 dhe 3 qershor.

 

“I bëj thirrje qytetarëve për t’u mobilizuar, është e rëndësishme që ta bëni këtë gjë tani, do të organizojmë demonstrata paqësore dhe simbolike. Më 2 qershor i ftoj të gjithë të vijnë në Romë për një ngjarje të madhe”

 

Ndërsa për emërimin e Ministrit të Ekonomisë, i cili u refuzua nga presidenti Mattarella, Di Maio shprehet se kishte emra të tjerë në listë, por presidenti nuk i ka vlerësuar për shkak të qëndrimeve të tyre kritike ndaj bashkimit Europian. Një lëvizje e tillë detyroi të propozuarin për kryeministër Giuseppe Conte, të heqë dorë nga detyra për formimin e qeverisë. Megjithatë vendimi i Mattarellës kundër një qeverie nga populistët është vlerësuar nga liderët europianë si mjaft i guximshëm. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se ky hap vjen si pasojë e një ndjenje të madhe të përgjegjësisë.

 

 “Riafirmoj miqësinë dhe mbështetjen e Presidentit Mattarella, i cili ka një detyrë thelbësore me të cilën përballet në këto momente,  me stabilitetin institucional dhe demokratik të vendit të tij, të cilën ai po e bën me shumë guxim dhe ndjenjë të madhe të përgjegjësisë”.

 

Një qeveri e përkohshme mund të nxjerrë vendin nga kriza politike, por detyra e saj është ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja që mund të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm nëse merr votëbesimin e parlamentit. Në të kundërt Italia do të mbajë zgjedhjet e reja pas muajit gusht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *