Subscribe

Opozita i ka dërguar zyrtarisht Këshillit Politik draftin e saj për reformën elektorale, i cili garanton se listat e hapura plotësisht bashkëjetojnë me koalicionet sipas modelit që Shqipëria ka aplikuar prej vitit 2003.

 

Anëtari demokrat i këshillit politik, Oerd Bylykbashi sqaron se me këtë draft PD së pari ka realizuar premtimin e saj për hapjen 100% të listës së kandidatëve për deputet e së dyti mbron koalicionet. Sipas Bylykbashit, pretendimi i socialistëve se ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut nuk lejojnë koalicionet, nuk qëndron.

 

OERD BYLYKBASHI

PERFAQESUES I PD NE KESHILLIN POLITIK

“Kjo është gënjeshtra e përfaqësuesve të PS. Kushtetuta nuk përcakton asnjë lloj forme koalicioni. Kushtetuta lejon vetëm koalicion, pra termi i përgjithshëm koalicion, por një formë të veçantë nuk e përcakton, nuk e ka përcaktuar kurrë.”

 

Si pasojë e ndryshimit të Kushtetutës në 30 korrik, të drejtën për të propozuar kandidatë e kanë vetëm partitë politike dhe zgjedhësit; dhe pikërisht ky formulim sipas Bylykbashit e bën antikushtetues propozimin e socialistëve për koalicionin me listë unike.

 

“Propozimi i Ps është haptazi në kundërshtim me ndryshimin e 30 korrikut, sepse Kushtetuta pas 30 korrikut nuk lejon me që një koalicion të prezantojë kandidatë. Propozimi që bën PS i jep të drejtën koalicionit të propozojë kandidate, pra konflikti është i pastër me nenin kushtetues, kanë dashur të venë vetullat, kanë nxjerrë sytë.”

 

Në leximin  kushtetues të Bylykbashit, propozimi i opozitës për një model koalicioni ku secila parti propozon kandidatet e saj është në përputhje me 30 korrikun.

 

“Kushtetuta i lejon partive politike të drejtën të propozojnë kandidatë, dhe jo koalicionit. Koalicioni që propozojmë ne, pra ai që është sot në kod nuk ia jep të drejtën një koalicioni që të propozojë por partive individuale. Pra ashtu siç thotë Kushtetuta, me modelin aktual, kandidatët do t’i propozojnë partitë.”

 

Pas depozitimit të draftit, PD pret që Këshilli Politik t’i drejtohet OSBE-ODIHR për të marrë një opinion në lidhje me modelin e koalicioneve. Por mazhoranca ka parashikuar votimin e Kodit Zgjedhor të enjten, dhe nuk ka mbetur shumë kohë për të gjetur konsensus mes socialistëve e demokratëve.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *