Subscribe

Në konferencën e Këshillit të Atlantikut zhvilluar në Uashington, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati tha se edhe pse rajoni i Ballkanit Perëndimor ka bërë progres në procesin e integrimit në BE dhe NATO, përparimi i mëtejshëm është në rrezik. Sipas tij, ende kjo zonë e Europës, nuk mund të quhet një rajon i vërtetë.

 

 “Edhe nëse flasim për integrim euroatlantik, është e vështirë të flasim për një rajon të vërtetë, duke pasur parasysh se kemi disa vende anëtare (Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi), por edhe vende si Kosova e cila po kërkon të ketë një marrëdhënie të institucionalizuar me NATO-n, vende si Serbia që qëndron në një tjetër pozicion, apo edhe Bosnja, e cila në dy vitet e fundit nuk po avokon për t’u anëtarësuar në NATO. E njëjta gjë vlen edhe për mënyrën se si vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfida  të ndryshme. Po kështu edhe linjëzimi i politikës së jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor me atë të BE-së nuk është i njëjtë. Ndaj dhe sfida jonë e parë është si ta transformojmë Ballkanin Perëndimor në një rajon të vërtetë nga pikëpamja politike, ekomomike dhe e sigurisë.”

 

Integrimi europian i vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas kryediplomatit shqiptar, nuk duhet të ngecet në ngërçin e negociatave.

 

  “Jo gjithnjë në rajon mund të gjendet një lidhje mes kapitujve të hapur dhe cilësisë dhe shpejtësisë së procesit të anëtarësimit apo ciklit të demokratizimit. Sa i përket sfidave, pavarësisht se Mali i Zi ka hapur 28 kapituj dhe Shqipëria është gati të ulet në tryezën e bisedimeve të anëtarësimit, vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me të njëjtat sfida në lidhje me shtetin e së drejtës, korrupsionin dhe krimit të organizuar, tensionet etnike apo pabarazia ekonomike e cila është një hendek i gjerë jo mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Perëndimore, por mes Ballkanit Perëndimor dhe të ashtuquajturve vende të reja anëtare të BE-së, duke i vendosur vendet fqinje në pozita të ndryshme.”

 

Bushati theksoi se SHBA-të dhe BE, në asistencën që i japin vendeve të rajonit, duhet të përqendrohen në reformat në fushën e sigurisë, sundimin e së drejtës, si dhe në çështje që lidhen direkt me zhvillimin ekonomik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *