Gjykata e Durrësit vendosi arrest në burg për ish-drejtorin e burgut të Durrësit Indrit Cërloj dhe “arrest në shtëpi” për mjeken e këtij institucioni Ylfete Sema për arratisjen e Altin Ndocit disa ditë më parë nga spitali i Durrësit.
Gjyqtari i çështjes Xhevdet Lika pasi ka dëgjuar pretendimet e Prokurorisë që përfaqësohej nga prokurori Edmon Koloshi si dhe avokatët e dy personave nën hetim, vendosi lënien në fuqi të vendimit të dhënë disa ditë më parë në mungesë për ish-drejtorin dhe mjeken për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Të shtunën po kjo gjykatë zhvilloi vlerësimin e masës së sigurisë për 8 punonjës të burgut të arrestuar pas arratisjes së Altin Ndocit nga spitali, duke lënë 3 prej tyre në qeli, 2 me “arrest shtëpie” dhe 3 me “detyrim paraqitje”.
Ngjarja ndodhi të martën e kaluar, kur Altin Ndoci u shoqërua në pavionin e infektivit. Në pritje të vizitës mjekësore ai kërkoi të shkonte në tualet dhe pas kësaj goditi në befasi efektivin e policisë së burgjeve që po e ruante dhe menjëherë u largua me vrap, ku e priste një automjet tip “Audi”.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se nuk janë respektuar protokollet e shoqërimit për numrin e efektivëve të policisë së burgjeve që duhet të shoqërojnë personat e paraburgosur apo të dënuar gjatë vizitave të tyre mjekësore.





