Liderët politikë në Britani po bëjnë apelet e fundit për votuesit, përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së enjtes. Kryeministrja konservatore Theresa May dhe kryetari i Laburistëve, Jeremy Corbyn kanë shpalosur programet e tyre me në fokus punësimin dhe mirëqenien.

 

Duke u ndalur tek Brexit, për të cilin britanikët votuan rreth një vit më parë me referendum, May ka theksuar se paratë e shpenzuara më parë për projektet e BE, do të sjellin më shumë përfitime, më shumë punë, shtëpi, rrugë e hekurudha më të mira. Corbyn nga ana tjetër ka prezantuar politikat për rishtetëzimin e disa shërbimeve si ato hekurudhore e postare, heqjen e taksave për universitetet, më shumë shpenzime në shëndetësi dhe më shumë taksa për të pasurit.

 

Siguria ishte një tjetër pikë që ka dominuar fushatën, veçanërisht pas sulmeve në Mançester dhe Londër. Kryeministrja May premtoi të ndryshojë ligjet për të drejtat e njeriut, nëse ato pengojnë përpjekjet kundër të dyshuarve si terroristë. Kështu procedurat për dëbimin e tyre do të lehtësohen. Nga ana tjetër, Corbyn është shprehur se May duhet të ndëshkohet pasi shpërfilli paralajmërimet për të mos bërë shkurtime në radhët e policisë.

Konservatoret janë ne krye sipas sondazheve dhe një fitore e tyre në zgjedhjet e parakohshme do të lejonte May të niste bisedimet për Brexit në Bruksel, duke pasur me vete mbështetjen e popullit.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *