Këtë të martë janë rikthyer reshjet e dëborës në juglindje dhe veri të vendit.

Në qarkun e Korçës, më të dendura reshjet kanë qenë në aksin rrugor Boboshticë – Dardhë ku trashësia e dëborës ka shkuar nga 5-10 cm.

Deri më tani nuk raportohet për probleme në qarkullim, por autoritetet këshillojnë drejtuesit e mjeteve që përdorin aksin rrugor të Dardhës, Vithkuqit e Voskopojës të jenë të pajisur me goma dimërore. Ndërkohë që për shkak të reshjeve të dëborës mungon energjia elektrike në disa fshatra, por sipas OSHEE po punohet për rikthimin sa më shpejt të  energjisë.

Dëbora ka mbuluar edhe Dibrën, aty trashësia varion nga 5 deri në 15 centimetra në zonat e thella malore, ndërsa nuk raportohet të ketë probleme sa i përket qarkullimit të automjeteve .

Ajo që specialistët e bujqësisë ngrenë me shqetësim janë pasojat që mund të kenë reshjet në frutikulturë, kryesisht tek pemët frutore që kanë lulëzuar si kumbulla, pjeshka, etj. Teksa temperaturat gjatë natës pritet të zbresin nën 0 gradë celsius, ngricat mund të rrisin dëmin në pemëtari.

Edhe qarku i Shkodrës është përfshirë nga reshjet e dëbore. Sipas të dhënave nga autoriteti rrugor në akset Hani i Hotit – Tamarë, Tamarë- Vermosh dhe Bogëe – Theth, ka reshje shiu dhe në lartësitë mbi 1300m ka reshje bore./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *