Anëtari i Kryesisë së PS, Alfred Peza dyshon që presidenti Ilir Meta po tenton të krijojë një lëvizje politike me emrin “Besëlidhja Demokratike Shqiptare”, pjesë e së cilës, sipas tij, do të jetë edhe LSI së bashku me disa parti të tjera të spektrit të djathtë.

 

I ftuar në “Vizion Plus”, Peza theksoi se Ilir Meta nuk është në betejë me mazhorancën, por për lidershipin e opozitës.

 

“Presidenti i Republikës e kaloi gardhin e institucionit të Presidencës, de facto Ilir Meta nuk është më President i Republikës përveçse formalisht. Në këto kushte, logjika ta do që një njeri si Ilir Meta që është një politikan prej 30 vitesh, sigurisht që gjëja e parë që të shkon në mendje, përpara tij është projekti I një lëvizjeje apo një partie politike, riaktivizimi apo rikthimi në jetën politike të vendit, në një garë për lidershipin e opozitës, ai dhe Lulzim Basha. Kjo nuk është një betejë e Ilir Metës me mazhorancën, por kjo është një betejë e Ilir Metës për lidershipin e opozitës. Presidenti i Republikës, ka zëra mediatike pranë tij që është në përpjekjet e fundit për të krijuar menjëherë sapo të dalë nga zyra e Kreut të Shtetit, një lëvizje politike, ndoshta me emrin “Besëlidhja Demokratike Shqiptare”, pjesë e së cilës do të jetë LSI edhe parti të tjera të vogla, të spektrit të djathtë. Në këtë mënyrë e djathta bëhet dypolare.”

 

Sa i përket tubimit të organizuar nga kreu i shtetit, Peza u shpreh se në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishin mbledhur më shumë përfaqësues dhe simpatizantë të PD-së.

 

“Ajo ishte një dasmë e mirë. Në shesh ishin më së shumti nga PD. Një histori e vjetër. PS ëshët indiferente sepse ka prioritet të tjera. Fokusi ynë është tek projekti i rindërtimit dhe tek integrimi i vendit në BE. Sa herë që ka çështje të rëndësishme integrimi, ish-kryetari i një partie me emrin Integrimi bën gjithmonë veprime politike apo qëndrime publike që shkojnë përkundër.”

 

Ndërkohë, i mëshoi faktit që Presidenti nuk mund ta shpërndajë Parlamentin, si dhe renditi tre rastet që parashikohen në Kushtetutë për shpërndarjen.

 

“Reagimi i shumicës do të jetë i njëjti që bëri në skenarin e 30 qershorit. Ilir Meta mund ta firmosi një dekret për shpërndarjen e Parlamentit, por Presidenti i RSH-së nuk mund ta shpërndajë dot sepse Kushtetuta e ka të qartë tri rastet kur mund të shpërndahet Parlamenti.

1.Kur pas zgjedhjeve parlamentare, Parlamenti i ri nuk arrin dot në tre votime radhazi të votojë Kryeministrin e ri të vendit.

2.Kur pas 5 votimesh, nuk arrihet të zgjidhet Presidenti i ri i Republikës.

3.Kur ka një mocion mosbesimi nga ana e Kryeministrit për Këshillin e Ministrave.

Nuk jemi në asnjë prej këtyre kushteve. Ashtu sikundër edhe për 30 qershorin, Ilir Meta e zhdekretoi 30 qershorin, por Presidenti nuk kishte të drejtë kushtetuese ta bënte zgjedhjen, zgjedhjet u zhvilluan.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *