Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ishte në tregun industrial në kryeqytet për t’i shpjeguar biznesit të vogël programin e opozitës.
“Çfarë do bëjmë ne? Për biznesin e vogël do ulim çmimin e energjisë nga 18 në 6 lekë. E kemi pasur 6, në 6 do zbresim pak. Tavanin 140 mijë euro pa taksa do e ngremë në 180 mijë euro. Edhe kjo është një lehtësim, një frymëmarrje”, tha Berisha.
Kryetari i PD premtoi falje për gjobat e vendosura ndaj biznesit të vogël.
“Por do jetë edhe amnistia për të gjitha gjobat, jo vetëm për biznesin e vogël, për edhe qytetarët, për pensionistët. Për këtë u garantoj. Se ky donte të bënte amnisti për trafikantët. Jo, nuk e bëjmë ne atë. Ato para nuk i duam, se ato paratë e tyre po e rrëzojnë ekonominë përtokë, po e kthejnë vetëm në ndërtim, të cilën nuk e blejnë dot se shkon çmimi sa në Mynih, sa në Paris”, tha Berisha.
Përtej programit për biznesin, Berisha premtoi se lista e ilaçeve që rimbursohen nga shteti do të jetë e njëjtë si në Itali.
“Tani po lexoja, para se të vija këtu, një analizë zyrtare të INSTAT. Tregonte se nga viti 2019 gjer në vitin 2023, shpenzimet nga xhepi për shëndetësi të qytetarëve shqiptarë janë rritur 41 përqind. Sot analizat në çdo spital 10 ditët e fundit të muajit nuk bëhen analiza se mbaron ai fitimi që nxjerrin dhe familjarët detyrohen t’i bëjnë analizat tek privati.Kjo merr fund dhe ne jemi të vendosur që 100 ditët e para ta ndryshojmë këtë situatë”, tha kreu i PD.
Më pas, në një komunikim me gazetarët në selinë e PD, Berisha iu kundërpërgjigj kryeministrit Rama dhe deklaratave për shpalljen e tij non grata, duke i kujtuar hetimin e ish-drejtuesit të lartë të FBI-së, McGonigal.
“Kazani po zien, ajo çështje nuk mbyllet kurrë,” tha Berisha./vizionplus.tv