Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijon denoncimin për procesin zgjedhor të 11 majit, duke e cilësuar atë si një farsë elektorale. Berisha u shfaq para kamerave këtë të shtunë me një kërkesë të veçantë për SHBA-të. I shpallur vetë non-grata, ai kërkoi që kjo masë të përfshijë edhe individë të tjerë në Shqipëri.
“I bëj thirrje presidentit Trump dhe qeverisë së SHBA të deklarojë terroriste këto grupe shqiptare, të cilat janë ndër më të rrezikshmet në rajon, Europë dhe në botë. Të cilat lëvizin miliarda, miliarda, miliarda euro, para droge dhe që i lajnë ato lirshëm, pa asnjë lloj kufizimi në Shqipëri me firmën e kreut të këtyre karteleve, kreut të organizatave kriminale, Edi Rama”, tha Berisha.
Duke ilustruar rezultatin në ekran, Berisha u ndal te një listë me emrat e kandidatëve socialiste më të votuar.
“Për të ilustruar disa momente të ndërhyrjes së kartelit Troplini në zgjedhje, kemi këtu famozin Arkend Balla, për të cilin dje zyra e shtypit të Edi Ramës shpërndante editoriale që i botonin lakejtë e tij, duke e marrë në mbrojtje se çfarë malli është ky. Arkend Balla, në vitin 2021, kur kumbarët e kartelit nuk e kishin rekrutuar akoma, mori 2463 vota. Arkend Balla në vitin 2025, nën patronazhin e kartelit Troplini, Elvis Doçit, mori 20718 vota. Pra këtij pothuaj iu dhjetëfishuan votat në patronazhin e kartelit Troplini. Arkend Balla ishte premtuar dhe është premtuar për ministër i Brendshëm i kartelit Troplini pas zgjedhjeve”, tha kryedemokrati.
Partia Demokratike shënoi një tjetër humbje radhazi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Pavarësisht diferencës së konsiderusehme në rezultat, Berisha e konsteston procesin.





