Subscribe

Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe Bashkimi Europian është kundër ligjit për amnistinë fiskale dhe atë penale. Në komentet që rendit Komisioni Europian, evidenton një sërë kritikash lidhur me këtë draft, duke nisur nga mungesa e konsultimeve me grupet e interesit, partnerët ndërkombëtarë, tek nxitimi i pakuptimtë i qeverisë për të miratuar këtë ligj e deri tek rreziku për pastrim parash.

Duke marrë parasysh ndikimin e gjerë të këtij legjislacioni, urgjenca me të cilën u miratua  nuk është e justifikuar. Për më tepër, ligjit të propozuar i mungon një vlerësim i nevojshëm i pasurive që do të legjitimohen dhe i të ardhurave që do të gjenerohen nga ky legjitimim.

Duke analizuar draftin, Komisoni Europian thotë se ai përfshin një gamë të gjerë faljesh e nuk ka afate kohore.

Ne këshillojmë për një rishikim të fushës së veprimit të ligjit, për të synuar vetëm evazionin fiskal të kryer nga persona me banim të besueshëm (vërtetuar) në Shqipëri, që nuk kanë arritur të deklarojnë pjesërisht ose plotësisht të ardhurat, transaksionet në lidhje me pasuritë e tyre.

Është esenciale që projektligji të tregojë specifikisht llojet e taksave dhe periudhën kohore që do të përfshijë amnistia.

Paralajmërimi i Komisionit është i qartë për qeverinë shqiptare:

Një amnisti e tillë tatimore do të ishte shumë e vështirë për t’u zbatuar, sepse përkufizimi i pasurive përfshin elemente të tilla si prona e paluajtshme në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, paratë cash të mbajtura në monedhën vendase ose të huaj, monedhë dixhitale, sende me vlerë prej ari ose gurë të çmuar. Është e vështirë të garantohet se: ato nuk rrjedhin nga aktivitete kriminale.

Komisoni Europian ndalet edhe tek ajo që do të konsiderohet viti zero pas përfundimit të zbatimit të këtij ligji.

Sipas KE drafti nuk jep asnjë garanci që sistemi aktual pas këtij ligji do të sigurojë zbatimin e duhur të ligjeve fiskale duke shmangur evazionin.

Ndaj sipas KE, Shqipëria duhet të ndërtojë një administratë tatimore profesinale që do të bllokonte mundësinë për pastrim parash dhe korrupsion.

Komisioni Europian i mbyll komentet duke i kërkuar qeverisë jo vetëm të rishikojë këtë draft, por i vë dhe kushtin që në rast se e miraton, duhet të adresojë shqetësimet e evidentuara në këtë raport.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *