Subscribe

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e nisi ditën këtë të martë me sulme kundër qeverisë. Në një dalje për mediat, lideri i demokratëve deklaroi se qeveria dështoi të mbështeste qytetarët që u mbyllën në shtëpi.

“Ndërkohë që ju keni sakrifikuar kaq shumë, fatkeqësisht ndihma dhe mbështjetja që duhet të merrni nga shteti ju ka munguar. Gjendja në vend po rëndohet çdo ditë. Ekonomia po shkatërrohet, fasoneritë kanë nisur të preken masivisht nga Covid-19, mijëra qytetarë kanë humbur vendet e punës dhe bukën e tyre të përditshme. Dhjetëra mijëra biznese rrezikojnë falimentimin. Sot, 5 javë prej fillimit të karantinës, është e qartë se qeveria s’ka as plan, as strategji dhe se ajo ka dështuar në përballimin e situatës.”

Sipas Bashës, premtimet e kryeministrit Edi Rama për të dhënë ndihma financiare për qytetarët janë boshe sepse akoma njerëzit nuk kanë marrë lekët.  

“Qytetarët u urdhëruan të rrinë në shtëpi dhe bizneset të mbyllen, por nuk u mor asnjë masë që ata të mbështeteshin financiarisht për këtë sakrificë. Disa hapa gjysmakë dhe me shumë vonesë që u shpallën, ende sot e kësaj dite nuk janë zbatuar, dhe njerëzit nuk i kanë marrë akoma lekët e tyre. Bizneset duhet të mbështeten që të mos falimentojnë dhe të largojnë njerëzit nga puna! Ekonomia duhet të ndihmohet me të gjitha mënyrat që të mos bjerë në humnerë!”

Në fund të fjalës së tij, Lulzim Basha përsëriti edhe një herë që të kryhen testimet massive për të ecur, sipas tij, me hapa të sigurtë përpara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *