Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua pasditen e kësaj të mërkure me drejtuesit e shoqatave kryesore të turizmit dhe hotelerisë në Shqipëri.

Basha dëgjoi shqetësimet e tyre për këtë sezon turistik, që duhet të përballet edhe me pandeminë. Kreu i demokratëve e akuzoi qeverinë se nuk e ka mbështetur fare këtë sektor.

“Problemeve të përvitshme të taksave të larta apo mungesës së infrastrukturës, këtë vit i është shtuar dhe pandemia. Operatorët kryesorë turistikë shprehën shqetësimin për mbylljen e kufijve për Shqipërinë, çfarë ka bërë që të anullohen edhe prenotimet e bëra për muajin korrik. Zero strategji mbështetëse për këtë sektor nga qeveria, zero strategji dalëse nga pandemia. Kjo e ka bërë situatën edhe më të rëndë dhe që po vazhdon të rëndohet çdo ditë. Ndonëse u premtua shtyrja e tatim-fitimit, operatorët thanë se në sistem vazhdojnë edhe kamatë-vonesat. Shtyrja e kredive nuk u zbatua por ato u ristrukturuan. Marrja e kredive u bë e pamundur për shumë biznese edhe pse sipas tyre kreditë nuk janë zgjidhje, pasi shumë prej tyre kanë dhe kredi të tjera të marrë më herët dhe që në mungesë të punës e kanë të pamundur për t’i shlyer.”

Ai bëri thirrje që kjo situatë të marrë fund dhe sipas Bashës, kjo ndodh vetëm nëse qytetarët ja besojnë PD pushtetin.

“Kjo situatë duhet të marrë fund sa me shpejt sepse ndryshe, do të ketë efekt shkatërrimtar për ekonominë dhe papunësinë e në veçanti për mbi 200 mijë qytetarë, që sot e kanë të lidhur punën dhe mbijetesën direkt me sektorin e turizmit.Asnjë zgjidhje nuk ka vlerë nëse nuk hartohet në bashkëpunim me të zotët e punës. Ne nuk premtojmë mrekulli, por një qeverisje normale, që dëgjon, dialogon dhe bashkëpunon. Për zgjidhje dhe politika të hartuara, duke dëgjuar sipërmarrjen dhe punëmarrësit dhe jo duke dëgjuar e punuar për 5 oligarkë.”

Lulzim Basha shtoi se paratë gjatë qeverisjes demokratike do të shkojnë për punësimin e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *