Balluku prezanton Liburn Aliun, ish-ministri i qeverisë Kurti në krye të Portit të Durrësit
Ish-ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu u prezantua këtë të martë nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku si drejtor i Autoritetit Portual të Durrësit.Ai do të zëvendësojë në këtë pozicion Kreshnik Bajraktarin, i cili do të marrë një detyrë të re.
“Porti i Durrësit për ne ka qenë një prioritet. Kemi kërkuar gjithmonë që të drejtohet nga profesionistë, që njohin jo vetëm transportin, por kanë edhe aftësi negociuese ndërkombëtare sepse Porti i ri i Durrësit parashikohet të jetë edhe një bazë e NATO-s, e vendosur në zemër të Mesdheut. Për këtë arsye dhe për të gjithë ardyet e tjera të zhvillimit ekonomik sepse porti i ri do të vazhdojë të jetë motori ekonomik i Shqipërisë, që nuk prodhon vetëm punësim, por një ekonomi zinxhir, sigurisht drejtimi duhet të jetë gjithmonë në duar të mia, profesionale, që garantojnë transparencë”, tha Balluku.
“Jam i nderuar, e falënderoj republikën e Shqipërisë, kryeministrit dhe ministren që ma besuan këtë detyrë. Ju këtu më shihni si të Kosovës, atje më shohin sit ë Shqipërisë, nuk është e lehtë… por gjithsesi këtë detyrë do ta bëjmë bashkë dhe uroj të kemi sukses dhe në tre vite portin e mallrave ta shohim të realizuar e më pas të lidhur me të gjitha rrjetet rrugore e hekurudhore me gjithë rajonin”, u shpreh Aliu.
Duke vlerësuar vizionin e kryeministrit Edi Rama që në disa raste ka emëruar figura të Kosovës në pozicione drejtuese në Shqipëri, ajo shtoi se edhe këtë herë Rama dha konfirmimin e tij për Aliun.
“Edi Rama ka punuar historikisht për Shqipërinë dhe Kosovën me të njëjtin pasion dhe dëshirë për të parë shqiptarët në lartësinë që ata e meritojnë. Kryeministri ma ka aprovuar propozimin tim, duke madje ma mbështetur sepse Porti i Durrësit është porti i shqiptarëve”, tha Balluku.
Balluku njoftoi se punimet për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano do të nisin vitin tjetër.
“Kur prezantuam këtë projekt, nga MV dhe Kosova kërkuan të ishin pjesë e këtin projekti, duke qenë e mundur krijimi i një lidhjeje me dy porte të thata, një i vendosur në Shkup dhe një tjetër në Prishtinë. E gjithë procedura ndërkombëtare ka qenë transparente, ka pasur disa faza të saj për zgjedhjen e konsulencës dhe projektit dhe sot jemi në fazën e fundit të projektit për ndërtimin e këtij porti. Interesi ka qenë shumë i lartë, 5 kompani të huaja kanë garuar dhe më 31 janar do të kemi fituesin e garës për ndërtimin e portit të durrësit, i dalë nga një garë ndërkombëtare. Do të kemi një konsorcium fitues që më pas duhet vazhduar me negocimin e kontratës dhe me synimin e madh për të nisur kantierin e ndërtimit të portit të ri në Porto Romano, brenda 2026”, tha ministrja.
Sipas parashikimeve, porti në Porto Romano do të jetë i dorëzuar dhe operativ deri në vitin 2029.




