Pas seancës plenare Partia Demokratike mblodhi grupin parlamentar për të diskutuar strategjinë në raport me kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e numrit dy të qeverisë Belinda Balluku. Kryetari grupit parlamentar Gazment Bardhi sqaroi gazetarët se opozita do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme për të votuar heqjen e imunitetit të Ballukut para mbylljes vitit.
“Çdo ditë që qëndron në zyrë, prish hetimet, intimidon dëshmitarët dhe ka urgjencë të jashtëzakonshme trajtimi i kësaj çështje dhe dhënia e autorizimit. Do kërkojmë mbledhjen e Kuvendit në një sesion të jashtëzakonshëm për heqjen e lirisë ndaj të pandehurës Balluku”, tha Bardhi.
Një ditë para se të mblidhet këshilli për mandatet dhe imunitetin Bardhi akuzoi kryeparlamentarin Niko Peleshi se nuk u ka dhënë deputetëve dosjen që SPAK-u ka sjellë për çështjen “Balluku”.
“Deputetët anëtarë nuk janë njohur me provat, por edhe urdhri i prokurorit nuk i është vënë në dispozicion deputetëve, urdhri nuk ndalon deputetë të njihen me materialet urdhri ndalon të pandehurën Balluku të njihet materialet e sjellura në kuvend dhe Peleshi bën të kundërtën. Balluku ka marrë kopje të provave se do të vijojë të intimidojë dëshmitarët”, shtoi Bardhi.
Ndërkaq sot deputetët demokratë kanë firmosur kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të shpallur të pavlefshme zgjedhjen e Endri Shabanit në postin e avokatit të popullit./vizionplus.tv





