Subscribe

Ministria e Energjisë përfundoi procesin e skanimit të kontratave koncesionare të dhëna në energjetikë. Në përfundim të këtij procesi numri 2 i kësaj ministrie Hantin Bonati bëri publike konkluzionet, sipas të cilave pritet anulimi i 27 kontratave, që  korrespondojnë në ndërtimin e 80 HEC-eve në të gjithë vendin. Për ministrinë, ky grupim konsiderohet me shkelje të rënda ose nuk kanë nisur ende punën në terren.

 

Në tipologjinë e tretë përfshihen praktikat të cilat janë konsideruar me shkelje të rënda kontraktuale, të cilat ende nuk kanë filluar punime në terren, ose kanë filluar të ndërtojnë pa leje, ose janë braktisur për një kohë të gjatë. Në këtë grupim përfshihen: 27 kontrata koncesionare për ndërtimin e 80 HEC-eve; Për të gjithë këto praktika nga ana jonë do të vijohet me procesin e komunikimit me subjektin për ndërprerjen e kontratës në mënyrë të njëanshme, duke ju referuar shkeljeve të neneve të saj dhe sipas procedurës ligjore të parashikuar. Sikurse theksuar në çdo komunikim publik, procedura që do ndiqet nga strukturat teknike dhe ligjore, nga njoftimi i fillimit të procedurës, deri në ndërprerjen e njëanshme të kontratës, do të jetë shumë e kujdesshme për të minimizuar çdo risk financiar që mund t’i shkaktohet buxhetit të shtetit.-tha Bonati.

 

Anulimi i këtyre kontratave është një proces delikat, pasi mund të përfundojë në gjykatë, por ministria shprehet e bindur se ka prova të mjaftueshme për prishjen në mënyrë të njëanshme të tyre.

 

Nga ana tjetër, duke ju referuar konkluzioneve, 101 kontratave koncesionare janë brenda afateve ligjore dhe kanë nisur punë në terren për ndërtimin e 153 hidrocentraleve. Ndërsa kontrata e tjera janë në fazë të investimeve të pafinalizuara, me vonesa në marrjen e dokumentacionit të nevojshëm, të cilat ministria do ti ketë në monitorim të vazhdueshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *