Një nga tifozët e PAOK-ut që u plagosën në aksidentin tragjik në Rumani ka deklaruar se “timoni u bllokua gjatë parakalimit për shkak të sistemit lane assistant”, sipas mjekut grek Dimitris Koukoulas, i cili ndodhej në spitalin ku u dërguan të rinjtë.
Koukoulas e bëri publik dëshminë duke folur për televizionin shtetëror grek ERT.
Lexo edhe :
Mjeku u shfaq thellësisht i tronditur, duke theksuar se gjendja emocionale është shumë e rëndë. “Nuk jam mirë, mezi marr frymë. Isha pranë nënës së njërit prej fëmijëve që humbën jetën”, tha ai, duke shtuar se të hënën në mbrëmje kishte komunikuar me familjarët e viktimave dhe ishte informuar se nëna e të plagosurit rëndë është nisur drejt Rumanisë.
Megjithatë, autoritetet theksojnë se mbetet për t’u sqaruar nëse sistemi i asistencës së korsisë ka luajtur rol në aksident. Sipas ekspertëve, ky sistem çaktivizohet automatikisht kur shoferi ndez sinjalin e kthesës, pasi “kupton” se ndryshimi i korsisë është i qëllimshëm. Në pamjet e publikuara nga kamera e një kamioni, duket se shoferi kishte ndezur sinjalin, çka do të thotë se, nëse sistemi funksiononte normalisht, nuk do të duhej të ndërhynte në timon.
Aksidenti i rëndë ndodhi në qarkun Timiș, në rrugën DN6–E70, pranë qytetit Lugoj. Një furgon me dhjetë tifozë të PAOK-ut, që udhëtonin nga Greqia drejt Lionit të Francës për të ndjekur ndeshjen e skuadrës së tyre, u përplas ballë për ballë me një kamion, pasi fillimisht kishte kryer një parakalim dhe më pas u rikthye papritur në krahun e kundërt të rrugës.
Mes viktimave është edhe një shqiptar, i identifikuar si Vasil Pilo i cili jetonte prej vitesh me familjen e tij në Alexandria të Imathias, në Greqi.
Ndërkohë, Genci Sadiku, shqiptari tjetër i përfshirë në aksident, ka arritur të komunikojë shkurtimisht me familjen e tij, duke i siguruar se është jashtë rrezikut për jetën.
“Nuk e di si jam gjallë, por jam mirë. Do të kthehem në Shqipëri”, kanë bërë të ditur familjarët e tij për mediat greke. /vizionplus.tv






