Aksident gjatë natës në dalje të Lezhës, makina përfundon përmbys në rrugë, dy të plagosur

Një aksident rrugor është regjistruar gjatë mesnatës në dalje të Lezhës, në superstradën Lezhë-Milot.
Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, ndërsa njëri prej tyre ka përfunduar i përmbysur në anë të rrugës. Si pasojë e aksidentit, dy persona që ndodheshin në automjete kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar në spitalin e Lezhës për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, të dy të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë një parakalim i gabuar, ndërsa shpejtësia e lartë mendohet se mund të ketë ndikuar në përplasjen e mjeteve.
Policia Rrugore mbërriti në vendngjarje pak minuta pas aksidentit dhe nisi hetimet për të zbardhur rrethanat dhe dinamikën e plotë të përplasjes, si dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e drejtuesve të automjeteve.




