Zhvillimet gjeopolitike dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë krijuar pasiguri të madhe në tregun e turizmit, duke i vënë pushuesit përballë një dileme të fortë: A duhet të rezervojnë që tani apo të presin?
Eksperti i turizmit, Luan Dervishaj, shpjegon në studion e QUO VADIS në Vizion Plus se situata aktuale është e paparashikueshme dhe çdo vendim duhet marrë me kujdes, duke analizuar trendet dhe lëvizjet e tregut.
Sipas Dervishajt, turistët që udhëtojnë në grupe të organizuara zakonisht rezervojnë herët dhe janë më pak të ndikuar nga zhvillimet e fundit, pasi planet e tyre janë të strukturuara.
Ndërsa shtoi ai, rezervimet e minutës së fundit (“last minute”) janë më fleksibël dhe reagojnë menjëherë ndaj situatave si konfliktet apo krizat.
Ai tha se ekziston edhe që flukset turistike të zhvendosen nga zonat e prekura nga konfliktet drejt destinacioneve të tjera më të sigurta.
Megjithatë, Dervishaj paralajmëron se Shqipëria ka kapacitete të kufizuara dhe nuk mund të përthithë një pjesë të madhe të këtij fluksi, sidomos në mungesë të infrastrukturës së zhvilluar dhe ofertave të standardeve të larta.
“Në fushën e turizmit, ne duhet të marrim parasysh gjithmonë produktet që ofrojmë dhe kategoritë ku mund të jemi konkurrues ose të zëvendësueshëm. Ne nuk mund të zëvendësojmë destinacionet si Dubai për turizmin e luksit, ashtu siç nuk jemi të zëvendësueshëm për hotelet me pesë yje “all inclusive” në Turqi, nëse nuk zotërojmë struktura të kësaj kategorie.
Flukset turistike të organizuara përmes grupeve kërkojnë kohën e tyre për riorganizim dhe rezervim paraprak, ndërsa rezervimet e minutës së fundit (“last minute”) janë zakonisht individuale. Në këtë pikë, situata mbetet shumë e paparashikueshme. Për shembull, nëse lufta përfundon pas një muaji dhe situata stabilizohet, njerëzit do të rifitojnë besimin dhe do t’i drejtohen sërish rezervimeve të minutës së fundit në ato destinacione.
Mendohet se bëhet fjalë për një volum shumë të madh fluksi, rreth 100 deri në 200 milionë turistë në vendet arabe, të cilët mund të riorganizohen drejt vendeve të tjera. Megjithatë, pjesa jonë e mundshme për të thithur këtë fluks është e kufizuar dhe, nëse vazhdojnë efektet negative të transportit, ato mund të kundërbalancojnë avantazhet. Pra, impakti mund të jetë i moderuar, qoftë pozitivisht apo negativisht. Turizmi duhet ndjekur në vazhdimësi, pasi një analizë e bërë sot nuk mund të merret si e mirëqenë pas një jave”, tha eksperti i turizmit, Luan Dervishaj.
/vizionplus.tv





