Ilir Meta dështoi sërish të rifitojë lirinë. Apeli i Posaçëm rrëzoi kërkesën e ish-Presidentit për të lënë qelinë e izolimit, tek e cila ka hyrë që në 21 tetor të vitit të shkuar.
Asgjë të re nga fronti i drejtësisë, e konsideron avokati i tij, Kujtim Cakrani lënien e Ilir Metës pas hekurave.
“Nuk prisnim diçka nga kjo gjykatë dhe nga kjo gjyqtare. Ne vijmë këtu për të bërë procedurën, dhe që kështu nuk ishim ndonjë pritshmëri. Ne do të vazhdojmë kërkesat tona për zëvendësim të masës së sigurisë. Javën tjetër, nesër apo apo pasnesër do të bëhet kërkesa tjetër. Çështja tashmë është përpara gjyqtarit të seancës paraprake. Në çdo të vazhdojmë sepse Presidenti nuk duhet të qëndrojë në paraburgim”, tha avokati Kujtim Cakrani.
Cakrani nuk e fshehu zhgënjimin me Gjykatën e Posaçme, duke i quajtur togat e zeza rrogëtarë nën pushtetin e SPAK. Për Irena Gjokën që ka në duar vendimin nëse dosja do t’i nënshtrohet apo jo gjykimit në themel, mbrojtësi thotë:
“Kam ardhur këtu për një procedurë tjetër. Kur të vijë momenti për zonjën Gjoka, kur të njihemi me rrethanat e seancës, ne do të mbajmë qëndrimin tonë… Me ne nuk tallen dot. Kjo gjykatë këtu janë të kontrolluara. Vendim i Metës do të vendosë se çfarë do të bëjmë me gjyqtaren Gjoka. Këta të gjithë Gjokë dhe Erjon janë të gjithë”, tha ai.
Argumenti i mbrojtjes në thelb kishte mbylljen e hetimeve dhe nëse Meta e lë burgun ai nuk ka sesi të ndikojë në prova, pasi ato janë kopsitur dhe dërguar për gjykim. Megjithatë tjetër gjë pretendon SPAK që ka urdhëruar vënien e tij pas hekurave. Prokuroria thotë se influenca e tij politike mbi të ashtuquajturat “prova të gjalla”, pra mbi dëshmitarët, është më se e mjaftueshme që ish presidenti i republikës të qëndrojë në paraburgimin e 313.
/vizionplus.tv





